Kandidati demokrat Jonathan Kreiss-Tomkins u zgjodh guvernator i Alaskës, sipas parashikimeve të Associated Press dhe NBC News, duke shënuar një fitore për demokratët në të ashtuquajturën “valë blu” të zgjedhjeve të mesit të mandatit, si në garat për postet e guvernatorëve të shteteve, ashtu edhe për Kongresin amerikan. Kreiss-Tomkins, 37 vjeç dhe ish-anëtar i Dhomës së Përfaqësuesve të shtetit të Alaskës, mundi tre kandidatë republikanë, përfshirë një prej tyre që kishte mbështetjen e presidentit Donald Trump.
Sipas mediave amerikane, Alaska nuk ka pasur një guvernator demokrat që prej vitit 1998. Fitorja e Kreiss-Tomkins nënkupton se, pas zgjedhjeve të mesit të mandatit të 3 nëntorit, demokratët do të kenë gjithsej 30 guvernatorë në nivel shtetëror vitin e ardhshëm.
Gjatë fushatës së tij, Kreiss-Tomkins vuri theksin te çështjet ekonomike dhe arsimore, duke synuar uljen e kostos së jetesës, financimin e plotë të shkollave publike dhe krijimin e një kuadri rregullator për ndërtimin e qendrave të të dhënave. Ai mori gjithashtu mbështetjen e senatores republikane Lisa Murkowski, e cila njihet si një prej të paktëve anëtarë të Partisë Republikane që ka marrë distancim nga Trump për disa çështje të politikës së jashtme dhe të brendshme.
Rikthimi i një guvernatori demokrat në udhëheqjen e Alaskës shënon ndryshim të partisë pas më shumë se dy dekadash në postin ekzekutiv të shtetit. Zgjedhja e Kreiss-Tomkins reflekton, sipas raportimeve, një sukes të demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në nivele të ndryshme të qeverisjes shtetërore dhe kombëtare.

