Strukturat e Policisë së Qarkut Fier finalizuan operacionin e koduar “Hijet e Natës”, me të cilin u zbardhën pesë raste vjedhjesh automjetesh në Mallakastër, Lushnjë dhe Divjakë. Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar në flagrancë shtetasi Gjevahir Ceka (Gj. C.), 51 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin, ndërsa janë shpallur në kërkim dy persona të tjerë: K. M., 28 vjeç, banues në Blinisht, Lezhë, dhe E. D., 34 vjeç, banues në Lurth, Mirditë.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, vidhnin automjete për t’i përdorur më pas për veprimtari kriminale. Gjatë hetimeve janë dokumentuar pesë raste të vjedhjes së automjeteve në qarkun Fier, konkretisht: më datë 13.11.2026 janë vjedhur dy automjete në fshatin Hekal, Mallakastër; më datë 08.01.2026 është vjedhur një automjet në fshatin Feras, Divjakë; më datë 13.09.2026 një automjet në fshatin Çermë Proshkë, Divjakë; dhe më datë 18.10.2026 një automjet në fshatin Dushk, Lushnjë.
Operacioni u zhvillua nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë. Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me DVP Lezhë, vijojnë punën për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet procedurale, përfshirë provat dhe aktet e hetimit, iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”, e kryer në bashkëpunim, më shumë se një herë. Ndërkohë, vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim.
