Italia po përballet më 13 nëntor me një grevë 24-orëshe të transportit publik në Milano dhe Venecia, që pritet të shkaktojë ndërprerje dhe vonesa në shërbimin e autobusëve, tramvajeve dhe metrosë. Në Milano, greva përfshin punonjësit e kompanisë ATM, që menaxhon rrjetin e metrosë, autobusëve dhe tramvajeve në qytet dhe në disa zona përreth, përfshirë Monza dhe Brianza. Protesta është thirrur nga sindikata Al Cobas dhe zgjat nga ora 00:00 deri në 23:59. Megjithatë, shërbimi do të garantohet në dy fashat orare: nga fillimi i shërbimit deri në orën 08:45 dhe nga ora 15:00 deri në orën 18:00. Jashtë këtyre orareve, metroja, autobusët dhe tramvajet mund të ndërpresin qarkullimin, në varësi të numrit të punonjësve që do t’i bashkohen grevës. Trenat rajonalë të Trenord nuk preken nga protesta dhe do të qarkullojnë normalisht.
Në Venecia është paralajmëruar gjithashtu një grevë 24-orëshe që prek punonjësit e kompanisë ATVO, e cila operon linjat e autobusëve ndërqytetës në pjesën lindore të provincës, përfshirë disa shërbime drejt aeroportit Marco Polo. Sipas njoftimit të kompanisë, udhëtimet do të garantohen në dy intervale: nga ora 06:00 deri në 09:00 dhe nga ora 12:00 deri në 15:00. Ndërkaq, transporti publik urban i menaxhuar nga ACTV, përfshirë autobusët dhe tragetet turistike (vaporetti), nuk preket nga greva.
Problemet me transportin pritet të vazhdojnë gjatë gjysmës së dytë të nëntorit me protesta të tjera të planifikuara në qytete të ndryshme. Më 14 nëntor, greva do të prekë transportin publik lokal në Bari. Më 16 nëntor paralajmërohet ndërprerje në Napoli, nga ora 11:00 deri në 15:00. Më 20 nëntor është paralajmëruar një grevë e përgjithshme e thirrur nga sindikata CGIL, ku do të përfshihen edhe taksistët. Nga 20 deri më 21 nëntor pritet të ketë ndërprerje në transportin hekurudhor në të gjithë Italinë. Së fundi, më 21 nëntor kontrollorët e trafikut ajror të ENAV kanë paralajmëruar një grevë katërorëshe, nga ora 13:00 deri në 17:00, që mund të ndikojë në trafikun ajror.
