Vëllai i atletit të famshëm me origjinë shqiptare Pirro Dhima, Odisea Dhima, 58 vjeç, u arrestua mëngjesin e së premtes në Athinë. Sipas burimeve policore, në banesën e tij dhe në qendrën sportive që ai drejtonte u gjetën sasi lëndësh stimuluese, të njohura si doping, të cilat iu jepeshin sportistëve me qëllim rritjen artificiale të rezultateve të tyre sportive.
Prokuroria akuzon se Dhima kryente këtë aktivitet për më shumë se 14 vjet dhe se i ka dhënë lëndë të tilla edhe djalit të tij. Policia raporton se që prej prillit 2024 ai furnizonte dhe u jepte substanca të ndaluara sportistëve. Gjatë hetimit u zbulua edhe një rast konkret ku një substance e ndaluar, e përfshirë në listën e WADA-s, iu dha një sportisti të mitur gjatë një gare; për këtë rast si trajneri ashtu edhe sportisti kishin marrë më parë dënim me përjashtim nga gara dhe eventet sportive.
Gjatë kontrolleve në një banesë dhe në ambiente sportive në Atikë u sekuestruan 871 copë medikamente dhe substanca dopingu (tableta dhe ampula), të papranuara nga Organizata Kombëtare e Barnave dhe konsiderohen të rrezikshme për shëndetin. Po ashtu u sekuestruan 15.000 euro në cash, 17 kartela sportistësh, shënime me dorë dhe një telefon celular, i cili do të verifikohet pasi ekzistojnë dyshime se mund të përmbajë prova shtesë të aktivitetit të paligjshëm të 58-vjeçarit.
Arrestimi u realizua nga Drejtoria për Luftën kundër Krimit të Organizuar në bashkëpunim me Organizatën Greke Antidoping (EOKAN) dhe Organizatën Kombëtare të Barnave (EOF). I arrestuari u dërgua në prokurori për t’u marrë në pyetje dhe më pas do të paraqitet në gjykatë, e cila pritet të vendosë për masën e sigurisë dhe nëse do të mbahët në paraburgim. Source: Top Channel.

