Shoqata Tirana “Nderi i Kombit” shënoi 35-vjetorin e themelimit në një ceremoni ku morën pjesë personalitete, intelektualë dhe qytetarë anëtarë të Shoqatës, që kanë kontribuar në promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit.
Shoqata, ndër të parat të krijuara pas rrëzimit të sistemit monist, funksionon sot me një Asamble të konstituar dhe të institucionalizuar dhe me Statut. Punimet e ceremonisë nisën me mbledhjen e Asamblesë, e cila miratoi Kodin e Etikës dhe diskutoi për sfidat e ardhshme të organizatës. Kryetari i Asamblesë, Shkëlqim Hajdari, theksoi se Statuti përcakton kufizimin e mandatit të kryetarëve, në mënyrë që asnjë kryetar i Shoqatës ose i Asamblesë të mos drejtojë më tepër se katër vjet, me qëllim shërbimin edhe ndaj organizatave të tjera, sindikatave dhe partive politike.
Kryetari i Shoqatës, Ruzhdi Keçi, rikujtoi transformimet institucionale që ka pësuar organizata: nga faza pa zyrë në fillim, tani Shoqata disponon një ambient përfaqësues, një Statut të përditësuar dhe Kod Etik. Ai vuri në dukje se disa akte normative të miratuara kanë orientuar Shoqatën drejt institucionalizimit.
Me qëllim ruajtjen e historisë, kulturës dhe traditave të kryeqytetit dhe mbajtjen e pavarësisë dhe funksionimit demokratik të Shoqatës, udhëheqja po përpiqet të përfshijë më shumë brezin e ri. Hajdari njoftoi synimin për të rritur praninë e të rinjve dhe grave në Asamble, në mënyrë që drejtuesit të kontribuojnë për një mandat dhe më pas t’i lënë vendin brezit tjetër.
Pas pjesës zyrtare, ceremonia vazhdoi me festë, në ritmet e muzikës popullore shqiptare interpretuar nga këngëtarë të njohur, të cilët sipas motos së Shoqatës kontribuojnë në ruajtjen e vlerave të komunitetit kryeqytetas.

