Policia e Shtetit ka përgatitur një plan masash për garantimin e rendit dhe sigurisë përpara, gjatë dhe pas ndeshjes së futbollit Shqipëri–Finlandë, e cila do të zhvillohet më 12.11.2026 në orën 20:45 në stadiumin “Air Albania”. Drejtues të Policisë së Shtetit dhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Futbollit dhe të sigurisë kanë zhvilluar takime për bashkërendimin e veprimeve, ndërsa strukturat policore, duke u mbështetur në përvojën e menaxhimit të aktiviteteve ndërkombëtare, kanë hartuar detaje të planit që parashikon detyrat e të gjitha shërbimeve të Policisë në koordinim me institucionet e tjera.
Për lehtësimin e qarkullimit të mjeteve, nga ora 17:00 deri në përfundim të ndeshjes, Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Bashkiake të Tiranës do të aplikojë kufizime të qarkullimit në disa akse rrugore pranë stadiumit. Rrugët e bllokuara do të jenë: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” (nga fast food-i “Laguna”, pranë urës së ish-Hotel Dajtit), Rruga “Papa Gjon Pali II” (te kryqëzimi i RTSH-së), Rruga “Dervish Hima” (pranë Ambasadës së SHBA-së), Rruga “Asim Zeneli” (pranë Ambasadës së SHBA-së), Rruga “Themistokli Gërmenji” (në hyrje), Rruga “Ismail Qemali” (te kryqëzimi i RTSH-së), Rruga “Lekë Dukagjini” (pranë ish-Gardës së Republikës — korridor hyrjeje për në parkimin e caktuar vetëm për mjetet e autorizuara nga FSHF-ja) dhe Rruga “Abdyl Frashëri” (pranë kryqëzimit të Librit Universitar). Në sheshin “Willson”, pak para përfundimit të ndeshjes, lëvizja do të devijohet në drejtim të rrugës “Sami Frashëri”. Rruga e Elbasanit, Unaza dhe bulevardi “Bajram Curri” do të jenë të lira për lëvizjen e mjeteve.
Si pjesë e zbatimit të planit, punonjësit e Policisë do të kryejnë kontrolle të imtësishme ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për të parandaluar futjen e banderolave me përmbajtje raciste, fishekzjarrëve, flakadanëve, lëndëve piroteknike, monedhave metalike, çadrave, çakmakëve, karikuesve të celularëve, mjeteve dhe produkteve për përdorim kozmetik, si dhe sendeve të tjera të forta dhe të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve. Tifozët kërkohen të paraqiten në hyrjet e stadiumit duke filluar nga ora 18:30, pasi për shkak të fluksit pak para fillimit mund të humbasin mundësinë për të hyrë. Policia e Shtetit ka angazhuar qindra punonjës policie që do të garantojnë rendin dhe sigurinë publike dhe do t’u ofrojnë ndihmë dhe informacion tifozëve, me qëllim që aktiviteti të përmbyllet pa incidente, në interes të imazhit të vendit.

