Gazetarja Klejda Muka, në emisionin “Top Story”, dha detaje mbi hetimet që lidhen me deputeten e Partisë Socialiste, Sara Mila. Sipas Mukës, agjentët e kanë pasur çështjen rreth gjashtë muaj dhe në fokus të hetimeve qëndron dyshimi për ndikim në shpërndarjen e ndihmës ekonomike para dhe pas zgjedhjeve të 11 majit.
Muka tha se agjentët kanë marrë në pyetje edhe prokurorin Bledar Maksuti për rreth 40 minuta. Pas daljes nga SPAK, Maksuti u përgjigj se ishte pyetur “si person në dijeni”, formulim që, sipas Mukës, përdoret shpesh nga personat që shfaqen në SPAK për të mbuluar përmbajtjen e bisedës. Gazetarja sqaroi se nuk ka informacion të konfirmuar nëse Sara Mila është marrë si e akuzuar.
Prokuroria e Elbasanit ka dërguar në gjykatë gjashtë nëpunës. Në dosjen e Prokurorisë së Elbasanit, sipas Mukës, ka dhe dëshmi ku thuhet se “drejtoresha më ka thënë të rris numrin”, pa u saktësuar nëse kjo referohej te Sara Mila. Po ashtu është raportuar se ndihma ekonomike është dhënë edhe për familje që nuk ndodheshin në Shqipëri.
SPAK po verifikon nëse Sara Mila ka ndikuar në marrjen e ndihmës ekonomike, para dhe pas zgjedhjeve të 11 majit. Nga hetimet janë shqyrtuar 60 familje, prej të cilave 55 rezultojnë se u është hequr ndihma. Prokuroria e Elbasanit deklaron se pas fillimit të hetimeve është vënë re një ulje e numrit të familjeve që marrin ndihmë ekonomike.
Muka nënvizoi se prokurorja ka biseda direkte dhe indirekte që mund të lidhin Sara Milën me këtë çështje dhe përmendi shifrën “12 milionë të reja të abuzuara” që, sipas saj, janë shpenzuar në mënyrë të padrejtë për këto familje. Gazetarja tha se SPAK duhet të thërrasë për shpjegime edhe personat e tjerë të përfshirë, përfshirë qytetarët që kanë depozituar kallëzime në Prokurorinë e Elbasanit. Source: Top Channel.

