Një foshnje 11-muajshe u gjet e gjallë në Karolinën e Jugut pas rreth 24 orësh të qëndruarit në një kuti brenda një kafazi për qentë, e varrosur në një gropë të cekët në një zonë pyjore. I mituri, i identifikuar si Koa Sharp, u zbulua nga autoritetet pas një kërkimi të madh që përfshiu mbi 100 efektivë nga agjenci lokale, shtetërore dhe federale. Sherifi i Qarkut Lexington, Jay Koon, tha se kafazi ndoshta i siguroi foshnjës ajër të mjaftueshëm për të mbijetuar rreth 24 orët e fundit nëntokë.
Sipas autoriteteve, ditën e zhdukjes foshnja ishte nën kujdesin e gjyshes nga ana e babait, e cila e kishte lënë përkohësisht Koa-n te i biri, Michael Comer, 25 vjeç, derisa të vinte një kujdestar tjetër. Kur kujdestari tjetër mbërriti, Comer kishte ikur dhe bashkë me të mungonte edhe foshnja. Familjarët raportuan zhdukjen gjatë pasdites dhe nisi një operacion i gjerë kërkimi.
Comer u gjet më vonë në një kasolle në Batesburg dhe u arrestua fillimisht për vjedhje me thyerje dhe rezistencë ndaj arrestimit, por nuk dha informacione të dobishme për vendndodhjen e fëmijës. Gjetja e foshnjës ndodhi kur hetuesit vërejtën një zonë me dhe të sapopërzier dhe hala pishe rreth 50 metra nga shtëpia. Gjatë gërmimeve dëgjuan të qarat e foshnjes dhe zbuluan Koa-n brenda një kutie me përmasa rreth 60×60 centimetra, vendosur në një gropë të cekët.
Sherifi Koon përshkroi shpëtimin si një garë me kohën; pas nxjerrjes, foshnja u dërgua me urgjencë në spital, ku po merr trajtim mjekësor. Babai vazhdon të mbahet në paraburgim ndërsa hetuesit po punojnë për të zbardhur motivin e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësinë e tij në zhdukjen dhe varrosjen e foshnjës.
Raportimet e WIS 10 theksojnë se Comer kishte pasur më parë probleme me ligjin, përfshirë arrestime të lidhura me dhunën në familje dhe një çështje penale që përfshinte armë. Hetimet po vazhdojnë.

