Një tjetër kapitull i përplasjeve mes Mauro Icardit dhe Wanda Narës u zhvillua të premten kur Wanda shkoi te banesa e futbollistit në Nordelta, rreth 30 km larg Buenos Airesit. Ata patën një zënkë të ashpër në rrugë që kërkoi ndërhyrjen e forcave të rendit.
Në një denoncim, Wanda Nara deklaroi se gjithçka nisi kur ish-bashkëshorti qortoi dhe mbylli vajzën e tyre 11-vjeçare në dhomën e saj. Sipas denoncimit, vogëlushja kërkoi ndihmë përmes një laptopi dhe WhatsApp-it. Mediat argjentinase raportuan se janë hapur hetime për lëndime të mundshme dhe se Icardi kishte refuzuar t’u dorëzonte autoriteteve aparatin nga i cili ishte nisur komunikimi i vajzës.
E përditshmja El Clarín njoftoi se gjykata vendosi masa të përkohshme: Icardit i ndalohet të i afrohet së bijës për 45 ditë; urdhri gjyqësor përcakton që futbollisti nuk mund të jetë në më pak se 300 metra nga banesa e minorenes ose nga çdo vend ku ajo ndodhet. Gjithashtu i ndalohet çdo lloj komunikimi me të bijën, qoftë personalisht, përmes telefonit, SMS, rrjeteve sociale apo përmes palëve të treta.
Pak orë më vonë, avokatët e Icardit publikuan një komunikatë, ku mohohet se ai e ka rrahur ndonjëherë vajzën. Sipas komunikatës, raporti i shërbimeve të emergjencës që i erdhi në ndihmë është kategorik dhe nuk tregon lëndime. Avokatët shprehën keqardhje që vajzat po ekspozohen dhe po përdoren si instrument në përplasjet mes të rriturve.
Përsa i përket mundësisë së arrestimit, avokatët mohuan ndonjë urdhër-arrest në drejtim të tij. Ata pranuan se ishte kryer një kontroll në banesë, por e konsideruan atë të panevojshëm. Për të marrë kompjuterin dhe telefonin celular që u sekuestruan, thanë se do të mjaftonte urdhër dorëzimi; në rast të mosdorëzimit, do të procedohej me sekuestrimin. Avokatët kërkuan që aparatet t’i nënshtrohen ekspertizës dhe kërkuan që prokuroria t’i mbajë në kontroll deri në ekzekutimin e saj, duke shprehur besim se hetimet do të sqarojnë të vërtetën e ngjarjeve.

