Projektligji i depozituar në Kuvend nga Partia Socialiste, nën titullin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8308, datë 18.3.1998, ‘Për transportet rrugore’” dhe propozuar nga deputeti Andi Qose, krijon një sistem vinjete për përdorimin e rrjetit rrugor kombëtar. Nisma vjen pak ditë pas vendimit të qeverisë për heqjen e taksës së qarkullimit nga çmimi i naftës dhe benzinës, që do të hyjë në fuqi nga 1 janari 2027.
Sipas projektligjit, automjetet e regjistruara jashtë Shqipërisë do të detyrohen të pajisen me vinjetë në momentin e hyrjes në vend. Shitja do të kryhet nga shoqëria aksionare “Enti Kombëtar i Operimit Rrugor” (EKORR) në pikat kufitare dhe nëpërmjet kanaleve elektronike, me mundësi pagesash paraprake. Për automjetet e lehta parashikohen periudha vlefshmërie: një ditë, 10 ditë, 30 ditë dhe një vit (365 ditë), ndërsa në përcaktimin e tarifave përmenden edhe vinjeta 7-ditore dhe 60-ditore si kufij maksimalë për tarifat relative. Tarifat do të ndryshojnë sipas kategorisë së mjetit dhe kohëzgjatjes; projektligji përcakton vetëm përqindjet maksimale në raport me tarifën vjetore, ndërsa vlerat konkrete do të vendosen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Për automjetet e regjistruara në Shqipëri, detyrimi përfshihet në taksën vjetore të mjeteve të përdorura, duke shmangur një procedurë të veçantë pagese. Projektligji përjashton nga rrjeti i vinjetës infrastrukturën me koncesion, urat, tunelat dhe rrugët malore për të cilat ekziston tarifë e veçantë përdorimi. Këshilli i Ministrave mund të miratojë përjashtime ose reduktime për automjetet elektrike, me hidrogjen, me emetime të ulëta, motomjetet dhe automjetet e regjistruara në shtetet kufitare.
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR) do të administrojë sistemin elektronik të vinjetave, ndërsa EKORR do të shpërndajë, shesë dhe mbledhë të ardhurat. Kontrolli do të realizohet edhe përmes kamerave dhe sistemeve automatike të leximit të targave. Përdorimi i rrjetit pa vinjetë dënohet me gjobë në shumën e tarifës mujore ose 30-ditore për kategorinë përkatëse dhe detyrim për të blerë vinjetën menjëherë. EKORR mund të gjobitet administrativisht nga 100,000 deri në 500,000 lekë.
Për mjetet e rënda të mallrave parashikohet një regjim i përkohshëm me vinjeta deri më 31 dhjetor 2029, me tarifa të diferencuara sipas akseve, peshës dhe klasës së emetimeve; nga 1 janari 2030 tarifimi do të përafrëhet me legjislacionin e Bashkimit Europian. Projektligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa data e nisjes së pagesës së vinjetës dhe aktet nënligjore do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

