Rrjeti ndërkombëtar SafeJournalists ka reaguar për ndalimin e gazetarit dhe autorit holandez Vincent W.J. van Gerven Oei nga Policia e Shtetit, gjatë protestës studentore së 7 nëntorit në Tiranë.
Në reagim, rrjeti dënon veprimet e raportuara të policisë ndaj gazetarit, përfshirë prangosjen, ekspozimin ndaj spërkatjes me sprej djegës dhe sekuestrimin e telefonit celular.
Shqetësim të veçantë ngre edhe rasti i gazetares së pavarur Alisa Braho, e cila, teksa po filmonte ndërhyrjen e policisë dhe shoqërimin e kolegut të saj, u ekspozua ndaj sprejit me piper nga efektivët.
Vincent W.J. van Gerven Oei njihet në Shqipëri ndër gazetarët që kanë kritikuar publikisht dhe kanë ngritur pikëpyetje mbi përmbajtjen e materialeve të njohura si “The Albanian Files”, për të cilat Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar një procedim penal.
Reagimi i plotë:
Rrjeti SafeJournalists shpreh shqetësim serioz për ndalimin e gazetarit dhe autorit holandez Vincent Ë.J. van Gerven Oei nga Policia e Shtetit gjatë protestës së 7 nëntorit 2026 në Tiranë, përfshirë prangosjen e tij, ekspozimin ndaj spërkatjes me sprej djegës dhe sekuestrimin e telefonit celular. Përdorimi i raportuar i sprejit djegës ndaj gazetares së pavarur Alisa Braho, e cila po filmonte ndërhyrjen e policisë, ngre shqetësime të mëtejshme për veprimet e forcave policore. Ky incident i fundit përforcon një model shqetësues të ndërhyrjeve të policisë në punën e gazetarëve gjatë protestave në Shqipëri, pavarësisht kërkesave të përsëritura për hetime, llogaridhënie dhe mbrojtje efektive.
Sipas dëshmisë së drejtpërdrejtë të Van Gerven Oei, të publikuar më 8 nëntor, policia e ndaloi pranë Parkut Rinia, pa i shpjeguar qartë arsyet e ndalimit. Ndërsa Alisa Braho po filmonte ndërhyrjen, një punonjës policie dyshohet se përdori sprej djegës ndaj saj dhe Van Gerven Oei. Më pas, gazetari u prangos dhe u shoqërua në Komisariatin e Policisë Nr. 3, ku, sipas dëshmisë së tij, u mor në pyetje përpara se të informohej për të drejtat e tij, nuk mori ndihmën e duhur mjekësore dhe fillimisht iu mohua mundësia për të kontaktuar Ambasadën e Holandës. Punonjësit e policisë pretendohet se deklaruan se dispononin pamje filmike ku ai shfaqej duke hedhur gurë, pretendim që gazetari e mohon. Sipas dëshmisë së tij, ai u lirua pesë orë pas regjistrimit në komisariat, por telefoni i tij fillimisht u mbajt si provë, pa iu dhënë kopje të dokumenteve përkatëse procedurale. Pas ndërhyrjes së shpejtë të prokurorisë, telefoni iu kthye të dielën, më 8 nëntor, rreth orës 18:00.
Rrjeti SafeJournalists mirëpret ndërhyrjen e shpejtë të prokurorisë dhe kthimin e telefonit të gazetarit. Megjithatë, sekuestrimi fillestar ngre pikëpyetje të rëndësishme për konfidencialitetin gazetaresk dhe mbrojtjen e burimeve. Çdo sekuestrim apo ekzaminim i pajisjeve të gazetarëve duhet të respektojë garanci të rrepta ligjore. Udhëzuesi i Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve njeh të drejtën e tyre për të dokumentuar operacionet policore dhe kufizon sekuestrimin e pajisjeve gazetareske. Autoritetet duhet të sqarojnë bazën ligjore të sekuestrimit fillestar, nëse përmbajtja e telefonit është aksesuar apo kopjuar dhe cilat garanci janë zbatuar.
Ky rast vjen pas incidenteve të mëparshme të ndalimit të gazetarëve dhe sekuestrimit të telefonave nga policia, si dhe akteve të përsëritura të dhunës dhe pengimit të gazetarëve që dokumentojnë operacionet policore. Nevoja urgjente për llogaridhënie institucionale është ngritur tashmë nga organizata ndërkombëtare dhe evropiane për lirinë e medias, Rrjeti SafeJournalists dhe organizata shqiptare, si dhe nga një koalicion më i gjerë organizatash të të drejtave të njeriut, shtetit të së drejtës dhe shoqërisë civile.
Përsëritja e këtyre incidenteve ngre pikëpyetje serioze mbi zinxhirin komandues të policisë, mbikëqyrjen e operacioneve dhe llogaridhënien institucionale. Pavarësisht miratimit të Udhëzuesit të Policisë së Shtetit për Sigurinë e Gazetarëve në maj 2025, gazetarët vazhdojnë të përballen me dhunë dhe pengesa gjatë protestave. Autoritetet ende nuk kanë ofruar një pasqyrë publike mjaftueshëm të qartë të rezultateve të hetimeve për incidentet që përfshijnë gazetarët dhe të masave korrigjuese të ndërmarra për të parandaluar përsëritjen e tyre. Hendeku ndërmjet garancive të parashikuara formalisht dhe zbatimit të tyre në praktikë mbetet një shqetësim thelbësor.
Rrjeti SafeJournalists i bën thirrje Policisë së Shtetit dhe autoriteteve kompetente të sqarojnë bazën ligjore të ndalimit të Van Gerven Oei dhe sekuestrimit fillestar të telefonit, të vënë në dispozicion dokumentacionin përkatës procedural dhe të konfirmojnë nëse është aksesuar apo kopjuar ndonjë material konfidencial gazetaresk.
Rrjeti i kërkon Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe organeve kompetente të prokurorisë të hetojnë në mënyrë të pavarur përdorimin e raportuar të forcës, trajtimin e gazetarit gjatë ndalimit dhe shkeljet e mundshme të të drejtave procedurale, të sigurojnë ruajtjen e provave përkatëse dhe të përcaktojnë përgjegjësitë në çdo rast kur konstatohen veprime të paligjshme.
Përtej këtij rasti individual, drejtuesit e Policisë së Shtetit dhe Ministria e Brendshme duhet të japin publikisht llogari për hetimet dhe masat e ndërmarra pas incidenteve të mëparshme që kanë përfshirë gazetarë. Kuvendi i Shqipërisë duhet të ushtrojë funksionin e tij mbikëqyrës, përfshirë zhvillimin e seancës dëgjimore parlamentare të kërkuar më parë nga organizatat për lirinë e medias dhe shoqëria civile, për të shqyrtuar veprimet e policisë, mbikëqyrjen operacionale dhe zbatimin e garancive ekzistuese.
Ndërsa policia ka përgjegjësinë për ruajtjen e rendit publik, veprimet e saj duhet të jenë gjithmonë të ligjshme, të domosdoshme dhe proporcionale. Shteti ka detyrimin pozitiv për të mbrojtur gazetarët, përfshirë rastet kur ata dokumentojnë abuzime të mundshme nga autoritetet publike. Përsëritja e incidenteve, pa hetime transparente, llogaridhënie efektive dhe masa parandaluese të dokumentuara, rrezikon të cenojë lirinë e medias, kontrollin publik mbi ushtrimin e pushtetit dhe të drejtën e informimit.
Rrjeti SafeJournalists shpreh solidaritetin e tij me Vincent Ë.J. van Gerven Oei dhe Alisa Braho dhe gazetarë të tjerë të prekur dhe do të vijojë të monitorojë rastin.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

