Projektbuxheti i vitit 2027 u diskutua në Komisionin për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, ku përfaqësues të Bankës së Shqipërisë dhanë opinionet e tyre mbi politikat fiskale të vitit të ardhshëm. Deputeti i Partisë Demokratike, Eno Bozdo, kritikoi paketën fiskale duke vënë theksin te emigracioni, tkurrja e popullsisë dhe mungesa e mbështetjes për sektorët prodhues. Sipas tij, materialet qeveritare “nuk adresojnë në mënyrë specifike absolutisht asnjë masë për të luftuar fenomenin e emigracionit dhe të tkurrjes së popullatës. Nuk ka asnjë masë për mbajtjen e të rinjve, për kthimin e emigrantëve apo për rritjen e pjesëmarrjes në punë”.
Bozdo vuri në dukje mungesën e rritjeve të pagave për kategori të sektorit publik që, sipas tij, po largohen nga vendi: “Asnjë rritje page për mjekët, infermierët, mësuesit, pedagogët. Pikërisht kategoritë që emigrojnë”. Ai shprehu shqetësim edhe për financimin e shëndetësisë dhe arsimit, si dhe për rënien e prodhimit bujqësor dhe industrial: “Për të pestin vit rresht prodhimi në sektorin bujqësor ka rënë, në terma absolutë. Për të tretin vit rresht prodhimi në sektorin industrial ka rënë. Pra, të gjitha produktet ‘Made in Albania’ po shkojnë drejt një tkurrjeje në mënyrë të frikshme dhe me shpejtësi të madhe”.
Një tjetër pikë kritike ishte rritja e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15%, që sipas Bozdo dëmton mundësitë e bizneseve për të riinvestuar: “Edhe pak fitim që ngelet për rikapitalizim apo riinvestim në mjete prodhimi, qeveria e merr dhe e fut në xhepin e vet”. Ai kërkoi gjithashtu një qëndrim më të qartë nga Banka e Shqipërisë për zhvlerësimin e euros dhe ndikimin e forcimit të lekut në konkurrueshmërinë e eksporteve.
Zëvendësguvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, paraqiti vlerësimin e institucionit, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së disiplinës fiskale dhe vijimit të investimeve publike: “Projektbuxheti i vitit 2027 ruan kahun konsolidues të politikës fiskale, çka rrit qëndrueshmërinë e financave publike, ndihmon kontrollin e presioneve inflacioniste dhe zgjeron hapësirat e reagimit të politikës sonë monetare”. Ahmetaj theksoi edhe nevojën për reforma për të garantuar qëndrueshmërinë e skemës së pensioneve për shkak të sfidave demografike dhe plakjes së popullsisë.
Debati u shoqërua me ndërhyrje të kryetares së Komisionit, Milva Ekonomi, e cila i kujtoi deputetit rolin e Bankës së Shqipërisë: “Banka nuk është përgjegjëse për projektbuxhetin, vjen për mendim. Mos ngatërroni me Ministrinë e Financave”.

