Thomas Markle Sr., babai i dukeshës së Sussex-it, Meghan Markle, është transferuar në një qendër të specializuar për kujdesin e personave me demencë, raportojnë mediat britanike. Sipas gazetës “The Sun”, 82-vjeçari u transferua të premten në një strukturë të specializuar për kujdesin e kujtesës në Florida. Ai kishte qenë në një qendër rehabilitimi që prej muajit maj, pasi iu amputua këmba e majtë.
Sipas raporteve, lëvizja e tij drejt një qendre të specializuar mund të komplikoje hetimet e FBI-së mbi akuzat për posedim të materialeve që përmbajnë abuzim seksual me fëmijë. Këtë e ka paralajmëruar avokati amerikan Spencer Kuvin, i cili përfaqëson viktima të financierit të dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein. Dyshimet u ngritën pasi djali i tij, Thomas Markle Jr., deklaroi në polici se kishte gjetur materiale të dyshuara mes sendeve personale të të atit gjatë kohës që të dy kishin jetuar në Filipine.
FBI konfirmoi nisjen e një hetimi pas zbulimit të materialeve të dyshuara në një njësi magazinimi të marrë me qira nga Thomas Markle në Rosarito, Meksikë. Policia në atë vend ka sekuestruar materiale nga njësi magazinimi, ndërsa hetimet për origjinën dhe përmbajtjen e materialeve vijojnë. Markle ka mohuar të gjitha akuzat, duke i cilësuar ato si “gënjeshtra të neveritshme”, dhe i ka thënë “The Mail on Sunday” se nuk kishte asnjë njësi magazinimi në Rosarito.
Autoritetet në Filipine kanë paralajmëruar se nëse ai shpallet fajtor për posedim të materialeve të paligjshme, mund të përballet me dënim deri në 12 vite burg. Ndërkohë, po vijon hetimi edhe për mënyrën se si u trajtua një letër që përmbante akuza ndaj Thomas Markle dhe që iu dorëzua Meghan Markle në vitin 2019 nga një efektiv i njësisë së mbrojtjes mbretërore të Policisë Metropolitane në Britani.
Letra, e shkruar nga Roslyn Loveless, ish-bashkëshortja e parë e Thomas Markle, përmbante pretendime për abuzim seksual. Sipas raportimeve, Meghan kishte konsideruar të fliste publikisht për këto akuza, por polici e kishte këshilluar të mos e bënte këtë.

