Ilyana Yotova është zgjedhur presidente e Bullgarisë, duke u bërë gruaja e parë në këtë detyrë. Ajo fitoi në balotazh së bashku me kandidatin për zëvendëspresident, Valchev, me 57.58% të votave. Sipas rezultateve me 99.95% të qendrave të votimit të numruara, dyshja Yotova–Valchev mori rreth 1.1 milion vota, ndërsa rivalët Andrei Gurov dhe Georgi Kantev morën 39.47% ose rreth 749,500 vota. Procesi u shënua nga një pjesëmarrje e ulët e qytetarëve.
Yotova, 62 vjeçe, ka përfunduar studimet në Departamentin e Filologjisë Bullgare në Universitetin e Sofjes dhe filloi karrierën në gazetari. Ajo punoi në Televizionin Kombëtar Bullgar si reportere, redaktore dhe prezantuese, para se të drejtonte departamentin e lajmeve. Më pas iu bashkua departamentit të komunikimit të Partisë Socialiste Bullgare dhe u zgjodh anëtare e Asamblesë Kombëtare. Nga 2007 deri në 2017 ishte deputete në Parlamentin Evropian, ku u angazhua në çështje të mbrojtjes së konsumatorit, peshkimit, peticioneve të qytetarëve dhe lirive civile.
Në vitin 2017 Yotova u zgjodh zëvendëspresidente e Bullgarisë në krah të Rumen Radevit. Në vitin 2022 nisi mandatin e dytë në këtë detyrë, të cilën e mbajti për nëntë vite. Radev dha dorëheqjen nga presidenca në janar për t’u angazhuar në garën për kryeministër; partia e tij, Bullgaria Progresive, fitoi dhe formoi një qeveri të qëndrueshme pas periudhave të paqëndrueshmërisë politike. Sipas Kushtetutës bullgare, kryeministri ka kompetenca më të gjera se presidenti.
Fitorja e Yotovës pritet të ndikojë në qëndrimin e Bullgarisë ndaj luftës në Ukrainë, për shkak të pikëpamjeve të saj mbi marrëdhëniet me Moskën. Si paraardhësi Radev, edhe ajo mbështet një zgjidhje diplomatike të konfliktit dhe ka argumentuar se paqja mund të arrihet vetëm përmes negociatave. Yotova është shprehur kundër forcimit të mëtejshëm ushtarak të Kievit, ka thënë se të gjithë duhet të flasin me presidentin rus Vladimir Putin dhe e ka përshkruar veten si një “presidente të paqes”. Megjithatë, ajo nuk vë në diskutim anëtarësimin e Bullgarisë në Bashkimin Evropian dhe NATO dhe ka mbështetur një politikë të jashtme të pavarur, ku interesi kombëtar është kriteri kryesor.
Pjesëmarrja e ulët dhe rezultati zgjuan diskutime mbi ndikimin e forcave pro-ruse në vend; partia e ekstremit të djathtë “Rilindja” pretendoi se mobilizimi i votuesve të saj ndihmoi rezultatin në favor të Yotovës, sipas raportimit të Financial Times.

