Ministrja e Brendshme britanike, Shabana Mahmood, pritet të bëjë sot një deklaratë për ndryshimet e reja në ligjet e emigracionit, me fokus kufizimin e kushteve dhe zgjatjen e periudhës së pritjes për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm (Indefinite Leave to Remain – ILR). Masat, të prezantuara fillimisht në nëntor 2025, parashikonin zgjatjen e periudhës pesëvjeçare të pritjes për të përfituar këtë status, i cili u jep emigrantëve të drejtën për të jetuar, punuar dhe studiuar në Britani pa kufizim kohor dhe mundësinë për të përfituar nga disa skema të ndihmës sociale.
Sipas propozimeve fillestare, punonjësit e huaj në sektorin e kujdesit social mund të përballeshin me një periudhë pritjeje deri në 15 vjet për të fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm. Megjithatë, informacionet publike tregojnë se propozimet mund të zbuten dhe të përjashtojnë nga rregullat e reja punonjësit e kujdesit social që jetojnë tashmë në Britani. Sekretarja e Strehimit, Angela Rayner, kishte kritikuar më herët zbatimin prapaveprues të këtyre rregullave, duke e cilësuar atë si “un-British”, veçanërisht në rastet kur preken emigrantët që ndodhen tashmë në vend.
Mahmood ka argumentuar se zgjatja e afatit për marrjen e statusit të përhershëm është e nevojshme për shkak të numrit të lartë të emigrantëve që mbërritën ligjërisht dhe që po i afroheshin përmbushjes së kushteve për qëndrim të përhershëm. Ajo ka lidhur rritjen e emigracionit neto pas Brexit-it me qeverisjen e mëparshme konservatore dhe ka paralajmëruar se ndryshimet mund t’i kushtojnë taksapaguesve deri në 10 miliardë paund gjatë gjithë jetës së personave përfitues, duke iu referuar të dhënave të Komitetit Këshillimor për Migracionin (Migration Advisory Committee).
Në një fjalim në mars, Mahmood deklaroi se periudha 2021–2024 shënoi nivele emigracioni të krahasueshme me ato të regjistruara përgjatë katër dekadave. Ajo tha se gjatë pesë viteve të ardhshme rreth 350,000 punonjës me kualifikim të ulët dhe familjarët e tyre, të ardhur me viza të shëndetësisë dhe kujdesit social, do të përmbushnin kushtet për të kërkuar ILR dhe për të përfituar nga disa skema sociale. Konsultimi publik njëvjeçar i qeverisë për reformat ka marrë më shumë se 200,000 përgjigje. Deklarata e sotme pritet të sqarojë se cilat masa fillestare do të mbeten në fuqi, nëse do të ketë përjashtime për emigrantët që jetojnë dhe punojnë tashmë në Britani dhe sa do të ndryshojë periudha e pritjes për marrjen e ILR.

