Shqipëria ka krijuar varësi nga importi i drithërave: ndër 2020-2025 në vend kanë hyrë 2.1 milionë tonë drithëra, prej të cilave 1.5 milionë tonë kanë origjinë nga Serbia dhe Rusia. Drithërat e importuara duhet të nxirren në treg vetëm nëse plotësojnë kërkesat e cilësisë dhe sigurisë ushqimore, dhe për këtë AKU-ja së bashku me 10 Pikat e Inspektimit Kufitar duhet të kontrollojë çdo ngarkesë që hyn në vend.
Auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) tregon se laboratorët e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit nuk analizojnë të gjithë treguesit e sigurisë ushqimore për drithërat. Ekzaminimet aktuale, si ajo e lagështirës dhe aciditetit, shihet si e pamjaftueshme për të vlerësuar cilësinë e grurit dhe miellit që do të përdorin furrat e bukës. Gama e treguesve të analizuar mbetet e kufizuar dhe përqendrohet kryesisht te parametrat bazë fiziko-kimikë, pa përfshirë analiza më të avancuara për kontaminantët kimikë, mbetjet e pesticideve, mykotoksinat apo metalet e rënda. Më tej, në shumë raste nuk kryhen analizat për shkak të mungesës së reagentëve, mosfunksionimit të pajisjeve ose mungesës së tyre, duke shkaktuar ndërprerje herëpashershme dhe, në disa raste, pamundësi të plotë për analiza mikrobiologjike.
Mangësitë shtrihen edhe në Pikat e Inspektimit Kufitar, të cilat mungojnë në infrastrukturën e nevojshme për kontroll fizik efektiv. Shembull i evidentuar është PIK Hani i Hotit, ku pranë godinës janë tri magazina jashtë funksionit; në të gjitha DRAKU-të magazinat e PIK-ut për periudhën 2020-2025 nuk kanë qenë të disponueshme për ruajtje. Për pasojë, kontrolli fizik realizohet në terren të hapur; inspektorët ngjiten në kamionët me të cilët transportohen drithërat dhe bëjnë kontroll vizual vetëm nga një pozicion specifik, për shkak të mungesës së mundësive të tjera.
Mungesa e magazinave dhe kapaciteteve laboratorike detyron AKU-në të veprojë jashtë rregullave të sigurisë ushqimore: produkte me problematika ose në pritje të analizave administrohen në të njëjtat ambiente me produktet e tjera, pa ndarje fizike dhe masa sigurie, çka rrit riskun për kontaminim të kryqëzuar. Ndërkohë, fermerët kanë lënë toka djerrë për shkak të kostove të larta, duke rritur varësinë nga gruri i huaj; megjithëse duhet të ndalohet importi i produkteve të rrezikshme në kufi, mungesa e laboratorëve dhe magazinave bën që siguria ushqimore të mbetet më shumë në letra sesa në produkt.

