Banka Kombëtare e Serbisë dorëzoi një kallëzim penal në Prokurorinë për Krimin e Organizuar kundër ALTA Bankës, në pronësi të biznesmenit Davor Macura, të cilit i atribohen lidhje të afërta me Partinë Përparimtare Serbe (SNS) të presidentit Aleksandar Vuçiq, si dhe kundër disa personave përgjegjës të bankës. Prokuroria kishte kërkuar më 27 tetor të mblidheshin të dhënat për të gjitha transaksionet drejt vendeve të huaja; më 29 tetor kërkesa u zgjerua për të përfshirë posaçërisht konvertimin e valutave dhe daljen e fondeve nga llogaritë e bankës. Më 30 tetor, Prokuroria iu drejtua Ministrisë së Brendshme dhe Shërbimit për Luftën kundër Krimit të Organizuar (SBPOK), duke kërkuar verifikimin e aktivitetit të bankës dhe të personave përgjegjës në Bankën Qendrore.
Sipas mediumit serb Vreme, avokati Ivan Niniq ngriti shqetësime për një proces të përshpejtuar të transferimit të kapitalit jashtë Serbisë, konkretisht drejt llogarive dhe subjekteve juridike në Moskë dhe Shkup. Kryetari i Partisë Demokratike në Serbi, Srdan Milivojević, pretendoi se ishte përgatitur transferimi i 50 milionë eurove nga ALTA Banka drejt një institucioni financiar jashtë vendit. Edhe opozita maqedonase kërkoi sqarime nga autoritetet e Maqedonisë së Veriut, duke ngritur dyshime se vendi mund të përdorej si pikë tranziti për transferimin e parave drejt Moskës.
Banka Kombëtare e Serbisë deklaroi se pretendimet e pakonfirmuara për transferime të dyshimta mund të shkaktonin shqetësim të pajustifikuar në publik. Deri tani, destinacioni përfundimtar i 50 milionë eurove nuk është konfirmuar zyrtarisht. Pas revokimit të licencës së ALTA Bankës, procedurat e falimentimit do të administrohen nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave me vendim gjykate. Banka Qendrore garanton se depozitat e siguruara, deri në 50,000 euro për çdo depozitues, do të mund të tërhiqen sipas procedurave përkatëse dhe se klientët do të informohen se në cilën bankë mund të marrin paratë e tyre.
Hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse janë kryer transferime të paligjshme dhe kush mban përgjegjësi për gjendjen financiare dhe veprimtarinë e bankës.

