Një 20-vjeçar me origjinë shqiptare, Thomas Qirjaj, humbi jetën pas një aksidenti në autostradën A1 në Itali. Ngjarja ndodhi në orët e para të së premtes, më 30 tetor, pranë zonës së Melegnano-s, në drejtim të San Giuliano Milanese. Sipas mediave italiane, i riu po udhëtonte së bashku me katër miq në një automjet tip Volvo me targa zvicerane. Pasi makina kaloi barrierën e autostradës, humbi kontrollin dhe u përplas me ndarësen që ndan korsitë.
Pas përplasjes, Thomas doli nga automjeti për të vendosur trekëndëshin e emergjencës dhe për të sinjalizuar rrezikun. Në ato momente, ai u godit nga një fuoristradë tip SUV, e drejtuar nga një 25-vjeçar nga Modena, i cili, sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, nuk e kishte dalluar të riun në rrugë deri në momentin e fundit. Përplasja ishte e rëndë; Thomas u dërgua me urgjencë në spitalin Predabissi në Vizzolo, por ndërroi jetë si pasojë e plagëve, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve. Katër miqtë që udhëtonin me të nuk pësuan dëmtime të rënda.
Thomas Qirjaj kishte lindur në Piacenza dhe jetonte me prindërit në Caorso, në provincën e Piacenzës. Ai vinte nga një familje me origjinë shqiptare dhe ishte fëmijë i vetëm; në dhjetor do të mbushte 21 vjeç. Lajmi për vdekjen e tij tronditi komunitetin ku jetonte. Kryetarja e bashkisë së Caorso-s, Roberta Battaglia, shprehu ngushëllimet për familjen dhe e përshkroi Thomasin si një të ri që e kishte parë të rritej dhe që ishte integruar mirë në komunitet. I riu ishte i angazhuar në futbollin amator; klubi ku kishte luajtur vendosi të anulonte ndeshjen e planifikuar në shenjë zie.
Policia Rrugore italiane dhe Prokuroria e Lodit kanë nisur hetimet për të zbardhur dinamikën e aksidentit. Autoritetet po shqyrtojnë shkaqet që çuan në përplasjen fillestare të Volvo me ndarësen e autostradës, si dhe rrethanat në të cilat fuoristrada goditi të riun. Sipas mediave, drejtuesi i SUV-it do t’i nënshtrohet edhe analizave toksikologjike, në kuadër të procedurave hetimore.

