Në dosjen e SPAK për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku janë marrë të pandehur 31 persona dhe subjekte, mes tyre pesë ndërtues dhe dy kompani private. Në listën e të pandehurve përmenden emra si Arbër Abazi, Pandeli Carapuli, Paqsor Buzi, Artan Sako dhe Ram Geci.
Arbër Abazi dhe kompania e tij “Alko Impex General Construction” akuzohen për korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh; SPAK thotë se kompania fitoi tenderin e Lotit 7 të Unazës së Madhe dhe se Abazi dyshohet ta ketë shpërblyer Ballukun me një vilë në Palasë. Artan Sako i kompanisë “2T” dhe Paqsor Buzi i “G.P.G. Company” akuzohen për falsifikim dokumentesh lidhur me tenderat e Unazës së Madhe. Ram Geci akuzohet për falsifikim dokumentesh në tenderin për ndërtimin e rrugës “Porto Romano–Durrës”, Loti 3, me vlerë rreth 14 milionë euro.
Pandeli Carapuli dhe kompania e tij janë marrë të pandehur për pastrim parash në lidhje me vilën e Ballukut në kompleksin “White Rocks” në Dhërmi; SPAK vlerëson pronën 720 mijë euro, ndërsa investimin e Ballukut rreth 140 mijë euro. Sipas dokumenteve, Carapuli nuk akuzohet për korrupsion aktiv sepse kjo vepër penale është parashkruar.
Dosja përfshin gjithashtu vartës dhe ish-drejtues institucioni, të cilët akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe shpërdorim detyre. Ervis Berberi përballet me nëntë akuza për shkelje në nëntë tendera të hetuar, ndërsa mbi 10 persona janë marrë të pandehur për procedurën e ndërtimit të Tunelit të Llogorasë.
Lista e 31 të pandehurve dhe akuzat sipas dokumenteve: Belinda Balluku – shkelje e barazisë në 9 tendera, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie; Pandeli Carapuli – pastrim parash; Igli Tare – pastrim parash në 2 raste; Joana Bushi – pastrim parash; Arbër Abazi – korrupsion aktiv dhe falsifikim dokumentesh; Alko Impex General Construction – korrupsion aktiv; Viola Haxhiademi, Ergys Verdho, Adja Strazimiri, Anila Sulollari, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi, Mirzeta Kashnica, Jonida Çeçe, Adrian Kroi, Denis Xhoshi, Klarita Konomi, Miranda Shkurti, Genti Raça, Eduart Agalliu, Arbër Troka, Dhurata Lazaj, Nikollaq Mihali, Gëzim Noni, Arlinda Gordani – akuzohen për shpërdorim detyre dhe/ose shkelje në tendera; Paqsor Buzi, Artan Sako, Ram Geci – falsifikim dokumentesh; Eurocol sh.p.k. – pastrim parash; Evis Berberi – shkelje në 9 tendera. Top Channel.

