Barinjtë e Kishës Katolike në Shqipëri, të pranishëm në Romë për vizitën Ad Limina Apostolorum, u pritën në audiencë private nga Ati i Shenjtë, Papa Leoni XIV. Takimi zgjati më shumë se një orë, gjatë së cilës ipeshkvijtë informuan Papën mbi situatën dhe gjendjen e Kishës dhe të vendit, duke paraqitur realitetin, sfidat dhe shqetësimet me të cilat përballen.
Në emër të ipeshkvijve dhe të mbarë Kishës Katolike në Shqipëri, Papën e përshëndeti Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit dhe President i Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë. Delegacioni i dorëzoi Atit të Shenjtë ikonën e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtore e Popullit Shqiptar, të punuar nga një artist shqiptar, dhe rinovoi ftesën për vizitë në Shqipëri. Dhurata përfshiu gjithashtu librin kushtuar martirëve të Shqipërisë, që përmbledh historinë e martirizimit dhe qëndresës së Kishës në vend, si dhe një pëlhurë zadrimore, simbol i përkushtimit dhe punës së përditshme të grave shqiptare.
Në fjalën e tij përpara Papës, Imzot Gjergj Meta theksoi se vizita ad limina dhe afrimi pranë varreve të Apostujve janë një rast për të kremtuar fenë dhe për t’u përforcuar në besim rreth Papës, me qëllim që të kthehen në dioqezat e tyre dhe të forcojnë në besim meshtarët, rregulltarët dhe besimtarët laikë. Ai përcolli përshëndetjet dhe përqafimet e meshtarëve, të rregulltarëve dhe të besimtarëve nga pesë dioqezat dhe administratura apostolike që përfaqësojnë, duke vënë në dukje besnikërinë e komunitetit katolik ndaj Selisë Apostolike, pavarësisht vështirësive, përndjekjeve, varfërisë dhe izolimit.
Meta solli gjithashtu përshëndetjet e shqiptarëve jo vetëm katolikë dhe të udhëheqësve fetarë, duke theksuar që ata shohin në Papën një mik dhe udhërrëfyes. Ai falënderoi Papën për dëshminë e tij në promovimin e paqes dhe për enciklikën “Magnifica humanitas”, që nënvizon vendin qendror të njeriut në kohën e sfidave teknologjike. Përfundimisht, delegacioni përtëriti ftesën për vizitë në Shqipëri dhe kërkoi bekimin dhe lutjet e Atit të Shenjtë.

