Më 29 tetor 2026, Bordi i Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) miratoi një rregullore të re për mbrojtjen e konsumatorëve në fushën e telefonisë celulare dhe autorizoi testimin e teknologjisë satelitore Direct-to-Device (D2D – IMT). Rregullorja sjell ndryshime konkrete për kushtet e ofrimit të shërbimeve dhe të drejtave të abonentëve.
Sipas rregullores, kartat SIM do të kenë vlefshmëri 12-mujore, ndërsa kredia monetare e blerë nga përdoruesit duhet të ketë një afat minimal prej 180 ditësh. Përdoruesve u jepet mundësia e rimbushjes me vlera të ulëta, si dhe e drejtë e kërkimit të rimbursimit për kredinë monetare të papërdorur kur numri portohet te një operator tjetër. Dokumenti parashikon gjithashtu transparencë më të madhe në informacionin për tarifat dhe ruajtjen e numrit celular për të paktën 12 muaj pas çaktivizimit të shërbimit.
Një ndryshim parësor lidhet me kufizimin e klauzolave që lejojnë rritje automatike të tarifave mujore. Nga 1 janari 2027 nuk do të lejohen klauzola që parashikojnë rritje automatike të tarifave në përqindje ose sipas indekseve të ndryshueshme, përfshirë Indeksin e Çmimeve të Konsumit, në rast se vlera konkrete e tarifës së ardhshme nuk është përcaktuar në momentin e lidhjes së kontratës. Masat e përcaktuara në rregullore do të zbatohen sipas afateve të përcaktuara, duke nisur nga data 1 janar 2027.
Në të njëjtën mbledhje, Bordi i AKEP autorizoi kompaninë One Albania të kryejë një periudhë testimi 120-ditore të teknologjisë Direct-to-Device (D2D), në bashkëpunim me Starlink/SpaceX. Kjo teknologji synon lidhjen e drejtpërdrejtë të telefonave celularë të përshtatshëm me satelitët, me qëllim zgjerimin e mbulimit në zona ku sinjali i rrjeteve tokësore është i kufizuar. Përmbajtja e vendimit dhe rregullat e reja u bëjnë pjesë të kuadrit rregullator që synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe rregullimin e termave të ofrimit të shërbimeve celulare. Top Channel.

