Një vajzë e mitur me origjinë shqiptare, banore në zonën e Raguzës në Siçili, u transferua në një qendër të posaçme për të mitur nën dyshimet për vetëtrajnim me qëllime terroriste dhe apologji të terrorizmit, përfshirë atë ndërkombëtar. Masa u ekzekutua nga Drejtoria e Hetimit dhe Operacioneve Speciale të Policisë (Digos) në Raguzë, me urdhër të Prokurorisë për të Miturit në Katania.
Hetimi, sipas mediave italiane, nisi pas një sinjalizimi nga Agjencia e Informacionit dhe Sigurisë së Brendshme (AISI) lidhur me një profil në platformën TikTok që publikonte materiale me përmbajtje xhihadiste. Kontrolli i telefonit të të miturës zbuloi materiale që hetuesit i konsiderojnë tregues të një procesi të thellë radikalizimi. Ndër elementet e gjetura raportohet prania e fotografive dhe videove të organizatës Shteti Islamik (ISIS), përmbajtje të krijuara me inteligjencë artificiale, si dhe manuale me udhëzime për prodhimin e eksplozivëve në kushte shtëpie.
Në pajisjen elektronike u gjetën gjithashtu mesazhe me përmbajtje antisemitike dhe kontakte me persona të lidhur me organizatën terroriste ISIS, e njohur edhe si Daesh. Sipas informacioneve publike, e mitura kishte shpërndarë një video që dokumentonte sulmin ndaj një mësuese, ngjarje e ndodhur në muajin mars në një shkollë në provincën e Bergamos.
Pas ndërhyrjes së autoriteteve gjyqësore, vajza u vendos në një strukturë të mbrojtur për të mitur. Hetimet kanë për qëllim sqarimin e shkallës së radikalizimit të saj, natyrës së kontakteve të krijuara në internet dhe rrethanave të shpërndarjes së materialeve me përmbajtje terroriste.
Derisa të merret një vendim përfundimtar i drejtësisë, ndaj të miturës zbatohet prezumimi i pafajësisë dhe garancitë ligjore që parashikohen për të miturit në konflikt me ligjin.

