Një 29-vjeçar italian ka pranuar autorësinë e vrasjes së Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar, trupi i të cilit u gjet të mërkurën në një pus në zonën e Longianos, në Itali. Sipas hetimeve paraprake, krimi dyshohet të ketë ndodhur pas një konflikti për borxhe të lidhura me drogën. I dyshuari, nga zona e Cesenës, mësohet të ketë deklaruar: “E bëra unë”.
Maxhallaku, që punonte si bojaxhi dhe banonte në Gatteo a Mare, ishte larguar nga banesa mbrëmjen e 8 tetorit duke i thënë bashkëshortes se do të shkonte në një lokal; ai nuk u kthye më dhe la pas bashkëshorten dhe vajzën njëvjeçare. Hetuesit thonë se mbrëmjen e zhdukjes të dy janë takuar në banesën e 29-vjeçarit, ku një debat dyshohet se ka degjeneruar në dhunë.
Sipas hetimeve, i dyshuari përdorte substanca narkotike dhe kishte grumbulluar borxhe të konsiderueshme për drogën. Gjatë konfliktit, ai dyshohet se ka nxjerrë një armë dhe e ka qëlluar 31-vjeçarin, duke i shkaktuar vdekjen. I arrestuari më pas ka rrëfyer se kishte humbur kontrollin dhe e kishte transportuar trupin, duke e hedhur në një pus pranë fushave për të fshehur krimin. Për të zhdukur gjurmët, ai dyshohet se i ka vënë flakën edhe automjetit të shqiptarit.
I dyshuari, që në deklaratë ka thënë “Kam pasur frikë për veten dhe familjen time, jam ndier i kërcënuar”, ndodhet aktualisht në ambientet e karabinierëve në Savignano. Në orët në vijim pritet të transferohet në burgun e Forlit, ku do të qëndrojë në pritje të seancës për vleftësimin e ndalimit.
Për të përcaktuar me saktësi shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së 31-vjeçarit do të caktohet ekspertiza mjekoligjore dhe do të kryhet autopsia. Hetimet vazhdojnë për të dokumentuar plotësisht dinamikën e krimit dhe për të sqaruar çdo detaj të ngjarjes.

