Që prej 13 tetorit 2026, struktura e Antiterrorit, në bashkëpunim me Hetimin e Krimit Kibernetik dhe prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm, ka zhvilluar veprime hetimore dhe procedurale lidhur me thirrjet publike në rrjete sociale me përmbajtje kundërligjshme, të dhunshme dhe kërcënuese, në kontekstin e protestave të dhunshme në Tiranë dhe qarqe të tjera. Si rezultat, u vu në pranga një shtetas, u proceduan penalisht 17 shtetas dhe u referuan materialet në Prokurori për identifikim të autorëve në 8 raste.
U ndalua shtetasi E. Xh., 33 vjeç, banues në Tiranë, për veprën “Përhapja e informative të rreme që ngjallin panik”, pasi dyshohet se ka dërguar një mesazh kërcënues në Facebook për vendosje të bombave në tri godina të një subjekti privat.
U referuan materialet në Prokurori për një sërë shtetasish për vepra të ndryshme: A. K., 34 vjeç, akuzohet për “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” pas thirrjeve në Instagram dhe për mashtrim, pasi dyshohet se ka hapur një llogari në “GoFundMe” duke pretenduar rrezik për jetën e tij; gjatë kontrollit i është sekuestruar një dokument (bexh) me të cilin prezantohej si gazetar. E. N., 51 vjeç, banues në Shëngjin, akuzohet për “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Thirrja për urrejtje nacionale” pasi ka ofruar shuma parash në video për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj përfaqësuesve të Kuvendit dhe anëtarëve të Qeverisë. G. P., 37 vjeç, akuzohet për “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Përndjekja” për publikim të të dhënave personale, fotove dhe videove të punonjësve të Policisë me komente fyese, si dhe për postime kërcënuese ndaj institucioneve shtetërore. A. G., 56 vjeç, akuzohet për “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Nxitja e urrejtjeve dhe e grindjeve” pas postimeve që ftonin në dhunë. A. A., 50 vjeç, akuzohet për “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese” dhe “Thirrjet publike për veprime të dhunshme” për postim në Facebook me përmbajtje antikushtetuese. O. M., 20 vjeç, akuzohet për “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme” dhe “Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese” pasi gjatë një proteste vendosi një banderolë me simbol nazist në fasadën e Universitetit Politeknik.
Po ashtu, për 12 persona të tjerë u referuan materiale për “Thirrje publike për veprime të dhunshme” nëpërmjet shkrimeve, mesazheve dhe komenteve në platforma të ndryshme; për 7 llogari të tjera u referuan materialet për të njëjtën vepër, dhe për një llogari në Instagram përfshihej edhe “Përhapja e informacioneve të rreme që ngjallin panik”. Autoritetet punojnë për identifikimin dhe ndjekjen penale të administratorëve të këtyre llogarive dhe personave të tjerë të lidhur. Materialet procedurale janë referuar prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme.

