Federata Spanjolle e Futbollit mbylli hetimin disiplinor lidhur me pretendimet e Atletico Madrid për kontakte të dyshuara pa autorizim të Barcelona-s me sulmuesin Julián Álvarez, dhe vendosi të gjobisë klubin katalonas me 602 euro. Procedimi nisi në fund të korrikut, kur Atletico dorëzoi ankesë zyrtare, duke shprehur shqetësim se drejtues të Barcelonës kishin tentuar të kontaktonin drejtpërdrejt me lojtarin që është i lidhur me klubin madrilen me kontratë deri në qershor të vitit 2030. Sipas rregullave të futbollit spanjoll, çdo klub që dëshiron të negociojë me një futbollist nën kontratë duhet ta njoftojë paraprakisht dhe me shkrim klubin që e mban kartonin e lojtarit. Në përpjekje për të adresuar çështjen, Atletico iu drejtua gjithashtu FIFA-s; institucioni ndërkombëtar, megjithatë, deklaroi se nuk kishte juridiksion për rastin dhe ia la trajtimin autoriteteve të futbollit spanjoll. Pas hetimit, organi disiplinor i RFEF-së konstatoi shkelje të nenit 133 të rregullores, i cili lidhet me parregullsi të vogla dhe mosrespektim të detyrimeve rregullatore. Në përputhje me këtë konstatim, federata aplikoi gjobën minimale të parashikuar për këtë lloj shkeljeje, 602 euro. Vendimi për gjobë shënon mbylljen e procedurës disiplinore pas shqyrtimit të ankesës dhe sqarimit të aplikimit të rregullave për negociatat me lojtarë nën kontratë.

