Në praninë e djalit të saj 12-vjeçar, Arlinda Zekajt iu dha lamtumira e fundit të martën në Radac të Pejës. Gjatë ceremonisë së mortit u kërkua drejtësi për 49-vjeçaren, për të cilën familjarët dhe të pranishmit thanë se shteti nuk arriti ta mbronte. Rasti i vrasjes po hetohet gjithashtu për neglizhencë nga autoritetet.
Në Gjykatën Themelore në Pejë, të martën para trupit gjykues u paraqit ish-bashkëshorti i saj, Jeton Sylaj, për masën e sigurisë. Ai doli nën shoqërimin e forcave të shtuara të policisë. Prokuroria Themelore kishte kërkuar një muaj paraburgim për mospërfillje të gjykatës, me arsyetimin se Sylaj, siç thuhet, “ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tani të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese”. Gjykata i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji për shkeljen e vendimit të 16 tetorit, që i ndalon të afrohet me më shumë se dy metra ndaj viktimës.
I dyshuari për vrasjen, kunati Albert Sylaj, vazhdon të jetë në arrati. Policia e Kosovës njoftoi se gjatë bastisjes së shtëpisë së tij gjeti armë, thika e sëpatë. Sipas raportimeve, Arlinda Zekaj u vra vetëm dhjetë minuta pasi ishte shoqëruar nga policia në shtëpi, pas një denoncimi për dhunë në familje nga ish-bashkëshorti.
Tre ditë përpara vrasjes, ajo kishte kërkuar mbrojtje nga shteti dhe kishte ngritur alarmin për neglizhencë në trajtimin e rastit të saj nga zyrtarët. Letrat që i dorëzoi kryeprokurores së Pejës, kryetarit të Gjykatës së Pejës dhe kryeprokurorit të shtetit, siç deklaronte vetë Arlinda Zekaj, ishin “shpresa e saj e fundit”.
Lajmi publikohet nga Top Channel.

