Ekonomia shqiptare pritet të rritet me 3.4% këtë vit, por sfidë kryesore mbetet krijimi i vendeve të punës më produktive dhe të paguara më mirë. Në raportin e fundit për Ballkanin Perëndimor, Banka Botërore vëren se papunësia në Shqipëri ka zbritur në nivelin më të ulët historik dhe se pagat vijojnë të rriten. Megjithatë, shqetësim mbetet struktura e ekonomisë që mbështetet kryesisht te turizmi dhe shërbimet, ndërsa produktiviteti i ulët dhe baza e ngushtë e eksporteve kufizojnë potencialin për rritje afatgjatë.
Banka Botërore thekson nevojën për adresimin e hendekut në aftësi, rritjen e produktivitetit dhe krijimin e kushteve që bizneset të investojnë dhe të zgjerohen: “Adresimi i hendekut në aftësi, rritja e produktivitetit dhe krijimi i kushteve që bizneset të investojnë dhe të zgjerohen janë thelbësore për ruajtjen e rritjes afatgjatë dhe përshpejtimin e konvergjencës me Bashkimin Evropian.” Raporti propozon gjithashtu lehtësimin e barrierave tregtare dhe të procedurave administrative si mënyrë për të nxitur investimet, eksportet dhe punësimin: “Megjithatë, vetëm qëndrueshmëria nuk mjafton që rajoni të afrohet me nivelet mesatare të të ardhurave në Bashkimin Evropian apo të krijojë vendet cilësore të punës për të cilat ka nevojë.”
Në nivelet fiskale, Banka Botërore evidenton përmirësime: borxhi publik ka zbritur nën 50% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa bilanci buxhetor dhe pozicioni i jashtëm i vendit rezultojnë të përmirësuar. Këto tregues ofrojnë hapësirë për politika që mbështetin investimet dhe stabilitetin makroekonomik, por raporti nënvizon se për të arritur rritje të qëndrueshme dhe punësim cilësor duhen reforma strukturore që rrisin produktivitetin dhe zgjerimin e eksporteve.
Në nivel rajonal, rritja ekonomike parashikohet mesatarisht në 3.1% për vitin 2026. Me një rritje të parashikuar prej 3.4%, Shqipëria renditet pas Kosovës (3.6%) dhe përpara Maqedonisë së Veriut (3.3%), Malit të Zi (3.2%), Serbisë (3.1%) dhe Bosnjë-Hercegovinës (2.4%).

