Shqipëria përgëzon Listën Studentore për fitoren bindëse në zgjedhjet parlamentare në Serbi dhe qytetarët për pjesëmarrjen e gjerë në procesin demokratik, duke vlerësuar se zhvillimet dëshmojnë rëndësinë e angazhimit qytetar dhe të votës së lirë si shprehje e vullnetit demokratik. Një përgëzim i veçantë shkon për Koalicionin Shqiptar dhe për shqiptarët e Luginës së Preshevës, që sipas projeksioneve paraprake kanë arritur një rezultat të rëndësishëm; dy mandate parlamentare janë në perspektivë, ndërsa gara për një mandat të tretë mbetet e hapur.
Shqipëria nënvizon se ky përfaqësim duhet të shërbejë për avancimin e të drejtave të shqiptarëve, garantimin e trajtimit të barabartë dhe adresimin e shqetësimeve të tyre legjitime. Në këtë kapitull të ri politik për Serbinë, normalizimi i marrëdhënieve me Republikën e Kosovës përbën një përgjegjësi thelbësore. Diplomacia shqiptare kërkon angazhim konkret të Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, respektimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura, si dhe hapa konkretë drejt marrëdhënieve të qëndrueshme fqinjësore.
Shqipëria pret një angazhim konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian dhe thekson se ndryshimi politik duhet të shndërrohet në mundësi të reja për paqen dhe bashkëpunimin në rajon. Vendosja e përfaqësimit shqiptar në institucionet e Serbisë duhet të shërbejë si vegël për adresimin e çështjeve që prekin komunitetin shqiptar, duke synuar trajtim të barabartë dhe përmirësim të bashkëpunimit ndërmjet shteteve të rajonit.
Në përfundim, Shqipëria shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me institucionet që do të dalin nga ky proces zgjedhor, mbi bazën e respektit të ndërsjellë, interesave të përbashkëta dhe angazhimit për një Ballkan Perëndimor më të qëndrueshëm, më të sigurt dhe të orientuar drejt së ardhmes europiane.

