Kryeministri britanik, Andy Burnham, ka thënë se dëshiron që Mbretëria e Bashkuar të ribashkohet me Bashkimin Evropian gjatë jetës së tij, por thekson se një vendim i tillë duhet të mbështetet nga opinion publik dhe nuk mund t’u imponohen qytetarëve. I pyetur në emisionin “Good Morning Britain” të ITV-së nëse dëshironte rikthimin në BE, ai u shpreh: “Do të jem i sinqertë dhe do të them se, gjatë jetës sime, do të doja ta shihja të ndodhte, por nuk do të vazhdoj pa marrë parasysh opinionin publik.” Burnham theksoi se nuk synon t’i imponojë pikëpamjet e tij publikut dhe se vendimet për të ardhmen e marrëdhënieve me BE-në duhet të reflektojnë vullnetin e qytetarëve.
Në konferencën e Partisë Laburiste në shtator ai kishte bërë thirrje për forcimin e lidhjeve me Bashkimin Evropian, por sipas raportimeve të “Politico” ende nuk ka përcaktuar qartë formën e marrëdhënies që do të dëshironte me bllokun. Burnham argumentoi se Brexit-i nuk i ka përmbushur premtimet e referendumit të vitit 2016: “Ne patëm një Brexit më të vështirë se sa u propozua gjatë fushatës së referendumit”, duke shtuar se kjo, sipas tij, ka dobësuar ekonominë britanike dhe kontrollet mbi imigracionin.
Ai përjashtoi mundësinë e një rikthimi në BE gjatë mandatit të parlamentit aktual, duke e cilësuar një objektiv ende larg realizimit. Në vend të kësaj, Burnham kërkon hapa konkretë për të përmirësuar marrëveshjen aktuale mes Londrës dhe Brukselit, në mënyrë që bashkëpunimi të funksionojë më mirë. Në deklaratat për “Sunday Times”, ai shtoi se liria e lëvizjes brenda BE-së nuk duhet të përjashtohet paraprakisht nga negociatat e ardhshme.
Ndërkohë, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian pritet të zhvillojnë një samit në nëntor, i cili do të përqendrohet në çështje teknike lidhur me marrëdhëniet aktuale mes palëve, dhe jo në një rikthim të mundshëm të Britanisë në bllokun evropian.

