Dy shqiptarë u dënuan me burg në Britani të Madhe, pas një hetimi për shpërndarje kokaine, ku policia gjeti para dhe doza të fshehura brenda një mobilie televizori dhe në banesë. Mikele Bilali, 26 vjeç, dhe Ervin Hasa, 25 vjeç, u paraqitën më 2 tetor para Gjykatës së Kurorës në Stoke-on-Trent, ku u shpallën dënimet për akuzat që pranuan.
Bilali u dënua me një vit e 10 muaj burg, pasi pranoi posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen, drejtim të automjetit pa leje dhe drejtim pa siguracion. Hasa mori tre vite burg, pasi pranoi posedim të kokainës me qëllim shpërndarjen dhe posedim të pasurisë kriminale.
Ngjarja nisi gjatë patrullimit në zonën Boothen të Stoke-on-Trent, kur policia ndaloi një automjet të zi tip “Mercedes” të drejtuar nga Bilali, i cili kishte tërhequr vëmendje për mënyrën e drejtimit. Hasa iu afrua makinës dhe komunikoi me Bilalin, dhe të dy u arrestuan. Gjatë kontrolleve policore u gjetën telefona celularë të lidhur me Bilalin që përmbanin mesazhe lidhur me shpërndarjen e drogës, si dhe çelësa të një banese të përdorur nga Hasa.
Hasa u kap me 19 qese të vogla kokaine. Në kontrollin e banesës, oficerët zbuluan rreth 10.700 paund të fshehura në një çantë “Gucci” brenda mobilies së televizorit; një kuti videolojërash përmbante edhe 1.000 paund të tjera. Në banesë u gjetën më shumë se 210 qese me kokainë. Bilali gjatë kontrollit në ambientet e paraburgimit iu gjetën 11 qese të vogla kokaine të fshehura në pantallona.
Në total policia sekuestroi 241 qese me kokainë, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 9.500 paundësh, dhe mbi 11.900 paund në para të gatshme. Sipas njoftimit, të dy të arrestuarit fillimisht nuk dhanë deklarata gjatë marrjes në pyetje, por më pas u akuzuan dhe pranuan veprat penale në gjykatë.
Pas shpalljes së dënimeve, kryeinspektori Steve Morrey nga departamenti i specializuar i krimeve në Policinë e Staffordshire deklaroi se të dy personat ishin të përfshirë në shpërndarjen e drogës në Stoke-on-Trent dhe se policia do të vazhdojë ndjekjen penale ndaj të përfshirëve në trafikun e drogës në Staffordshire.

