Një goditje, dy hapa e më pas rrëzimi në tokë — kështu përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u godit në sy nga një plumb gome gjatë protestës. Në një rrëfim për herë të parë ekskluzivisht për gazetarin e Top Channel Endi Tufa, ai tregon se plumbi ndodhet ende në syrin e majtë dhe se shpresa e tij tani varet nga një ndërhyrje më e specializuar mjekësore.
Erjoni rrëfen se ishte duke shkuar për të takuar shokët dhe sapo kishte hequr maskën e oksigjenit kur takoi një gazetar. Ai thotë se policia ishte rreth 30 metra larg, “pa asnjë reagim, pa asgjë”, dhe se vetëm pak më vonë mori goditjen: “Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë.”
Ai përshkruan se pas goditjes ishte vetëm pjesërisht i vetëdijshëm dhe se kujtimet për atë që ndodhi më pas janë të pakta. Erjon mban mend ndihmën e një shoku që e transportoi me makinë drejt spitalit. “Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, thotë ai.
Dhimbja dhe pasiguritë për fatin e shikimit mbeten shqetësimi kryesor. “Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, shprehet Erjoni për Top Channel. Trajtimi i specializuar shihet si shpresa kryesore: pas kontaktit të Top Channel me stafin e spitalit, mjekët dhe të afërmit, është siguruar transporti drejt një spitali në Romë, ku pritet të shkojë pasditen e sotme për kujdes më të specializuar.
Dëshminë e tij Erjoni e mbyll me dy fjalë: “Vetëm fitore”. Në përfundim ai thotë: “Shqipëria është e jona”.

