Protestat e ditës nisën me grumbullimin e deputetëve dhe militantëve të Partisë Demokratike para selisë së PD, nga ku marshuan drejt Kryeministrisë. Pjesa kryesore e përplasjeve u shënua nga protesta e të rinjve, e cila nisi rreth orës 14:00 në Rrugën e Durrësit, ku protestuesit nisën të qëllonin me gurë drejt Ministrisë së Arsimit dhe forcave që kishin krijuar kordone në aks. Të rinjtë vendosën flakën disa koshave që i afruan efektivëve për t’i bllokuar, ndërsa policia kundërpërgjigjej me autobotë ujëhedhës dhe gaz lotsjellës, duke boshatisur brenda minutash Rrugën e Durrësit.
Protestuesit, të ndarë në grupe, vazhduan përplasje në Sheshin Skënderbej dhe më pas u rigrupuan në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” pranë Kryeministrisë, ku u zhvillua një nga përplasjet më të forta që prej 13 tetorit kur nisi vala e protestave të dhunshme. Në vijën e parë u vunë grupe të rinjsh të maskuar, që hodhën molotov ndaj policisë, e cila kishte angazhuar rreth 2,000 forca. Për të răzbuar protestuesit u përdorën autobotët ujëhedhës, plumbat e gomës, spraju me piper dhe gaz lotsjellës në masë.
Protestuesit u shpërndanë në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke krijuar disa fronte përleshjesh ku herë përparonin protestuesit e herë avanconte policia. Një nga dyert e Ministrisë së Bujqësisë u përfshi nga flakët, por zjarrfikësit e vunë nën kontroll. Në rrugën e Myslym Shyrit pati tension kur policia marshoi në ndjekje të protestuesve; banorët dhe bizneset u gjetën të papërgatitura, por pa incidente të mëdha në atë zonë.
Pasi u zhvillua përleshja kryesore gjatë pasdites në Sheshin Skënderbej, dritat e tymit dhe tymueset u kthyen në një lojë ping-pong mes palëve. Një protestues dhe një efektiv u përfshinë nga flakët dhe morën ndihmën e kolegëve; në spital u paraqitën për ndihmë mjekësore një deputet, katër protestues, një polic dhe dy përfaqësues të medias. Në tubimin e PD pranë Kryeministrisë gjatë paradites, i vetmi incident ishte djegia e shilteve të vendosura nga kryeministri Edi Rama si ftesa e katërt për dialog. Protestës iu bashkuan edhe pedagogë, mjekë, sindikata e biznesit të vogël dhe Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias.

