Turizmi në Shqipëri vazhdon të rritet ngadalë, dhe muaji shtator, i cili zakonisht shënon përmbylljen e sezonit veror, nuk solli një përshpejtim të ndjeshëm të flukseve turistike. Sipas INSTAT, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën vetëm me 2.1% krahasuar me shtatorin e vitit të kaluar, me rreth 1 milion e 287 mijë vizitorë, apo afro 27 mijë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Për periudhën janar–shtator, rritja e hyrjeve të të huajve arriti 4.9%, një ritëm më i ulët se ai i regjistruar në muajt e mëparshëm.
Në strukturën e vizitave mbizotërojnë udhëtimet për pushime, ndërsa janë në rritje edhe vizitat për biznes dhe për arsye shëndetësore. Në krahun tjetër, shqiptarët që udhëtuan jashtë vendit u shtuan; rreth 824 mijë qytetarë zgjodhën të udhëtojnë drejt shteteve të tjera, një rritje prej 6.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ecuria e sezonit u shoqërua me luhatje, pasiguri dhe pritshmëri të paplotësuara për një rritje më të fortë të vizitorëve. Protestat që kanë përfshirë vendin që prej muajit maj kanë shtuar pikëpyetje mbi ndikimin e tyre në imazhin e vendit dhe në vendimmarrjen e turistëve. Përtej numrit të vizitorëve, sfidë për sektorin mbetet edhe përfitimi ekonomik: operatorët turistikë raportojnë qëndrime më të shkurtra të turistëve, rezervime në moment të fundit dhe një kujdes më të madh në shpenzime.
Sipas raportimeve, turizmi po humbet vendin si një nga sektorët kryesorë që furnizon ekonominë shqiptare me të ardhura. Ritmi i ngadaltë i rritjes ngre pikëpyetje mbi ecurinë e sektorit dhe aftësinë për ta kthyer fluksin e vizitorëve në më shumë të ardhura për ekonominë.

