Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka sekuestruar pasuri të tjera që dyshohen të lidhura me organizatën kriminale të Çopjave, me bazë në Elbasan. Në operacionin e fundit janë vendosur nën sekuestro pasuri me vlerë 77 milionë lekë të vendosura në Tiranë, përfshirë një biznes në fushën e shërbimeve taksi dhe hotelerisë dhe 25 automjete të markave Volkswagen dhe Toyota.
Po ashtu, është sekuestruar një sipërfaqe toke bujqësore prej 2 mijë metrash katrorë në Sharrë, që dyshohet se i përkiste anëtarëve të grupit. Këtyre sekuestrimeve u shtohen dhjetëra pasuri të tjera të sekuestruara më herët në kuadër të hetimeve ndaj grupit të Çopjave, duke zgjeruar aksionin ndaj aseteve që dyshohet se lidhen me aktivitetin kriminal të organizatës.
Sipas hetimeve të SPAK, grupi dyshohet të ketë trafikuar në Evropë sasi të mëdha kokaine. Nga hetimet janë zbuluar dërgesa shumëtonëshe kokaine nga Amerika Latine drejt porteve kryesore të Bashkimit Evropian, përfshirë Hamburgun dhe Anversin. Hetuesit kanë evidentuar edhe rolet e secilit prej pjesëtarëve të grupit kriminal, si dhe kanë dokumentuar zinxhirin e transferimit të shumave monetare të përfituara nga aktiviteti kriminal.
SPAK njofton se anëtarët e këtij grupi janë zbuluar përmes komunikimeve në platformën SkyECC. Në kuadër të hetimeve, deri më tani janë caktuar masa të sigurimit personal ndaj 16 personave. Investigimet dhe sekuestrimet vijojnë, ndërsa veprime të mëtejshme po kryhen për të vërtetuar lidhjet midis pasurive të sekuestruara dhe aktivitetit kriminal të grupit.

