Airbnb ka vendosur rregulla të reja që kufizojnë detyrat që pronarët mund t’u kërkojnë vizitorëve para largimit nga banesat e marra me qira. Sipas përditësimeve, mysafirët që paguajnë tarifë pastrimi nuk duhet të detyrohen të kryejnë punë që zakonisht i takojnë pastruesve, si larja dhe vendosja e enëve, heqja e çarçafëve dhe largimi i mbeturinave jashtë pronës. Udhëzimet hyjnë në fuqi për të gjitha rezervimet e bëra në platformë që nga 20 nëntori.
Pronarët do të mund të përcaktojnë deri në shtatë rregulla standarde për banesat e tyre dhe të vendosin kërkesa të tjera, për sa kohë ato konsiderohen të arsyeshme. Megjithatë, pritësit nuk mund t’u kërkojnë vizitorëve detyra që kërkojnë shumë kohë ose përpjekje apo që normalisht kryhen nga personeli i pastrimit. Rregullat e reja synojnë t’i bëjnë kërkesat më të qarta dhe të shmangin detyrime të papritura për mysafirët.
Airbnb tha se vendimi erdhi pas shqetësimeve nga komuniteti i përdoruesve, sipas të cilëve rregullat e banesave shpesh ishin konfuze, të lodhshme dhe të vështira për t’u zbatuar. Rregullat do të shfaqen më dukshëm në platformë dhe do të përfshihen në kujtesat që dërgohen vizitorëve për rezervimet e tyre, për të përmirësuar transparencën.
Do të lejohen disa përjashtime: për shembull, në zonat me thatësirë dhe kufizime të furnizimit me ujë, pronarët mund të kërkojnë që vizitorët të kufizojnë kohën e qëndrimit në dush. Kontrata shtesë do të pranohen vetëm në rrethana të kufizuara, si kur kërkohen nga ligji ose nga rregullat e shoqatave të pronarëve. Pronarët nuk do të mund të vendosin gjoba ndaj vizitorëve, por do të vazhdojnë të kenë të drejtë të përcaktojnë rregullat e banesave brenda kufijve të politikave të platformës. Nëse një kërkesë bie ndesh me rregullat e Airbnb, ajo do të sinjalizohet dhe pronari mund të paraqesë ankesë.
Për vite, përdoruesit janë ankuar për detyrat e kërkuara para largimit, veçanërisht kur paguhet tarifa pastrimi. Debati u rikthye pas videove në TikTok të një çifti pritësish në Xhorxhia që kontrollonin hollësisht banesën pas largimit të mysafirëve; videot shkaktuan kritika, reagime mbrojtëse dhe parodi në rrjetet sociale. Ndryshimet synojnë të sqarojnë ndarjen e përgjegjësive midis vizitorëve dhe shërbimit të pastrimit.

