Në Tiranë ka nisur Mbledhja e Bordit Drejtues të PISA me përfaqësues nga 91 vende, ngjarje që për herë të parë organizohet në Shqipëri dhe zhvillohet gjatë tre ditëve me takime, panele e tryeza diskutimi. PISA, studim ndërkombëtar i organizuar nga OECD, mat aftësitë e 15-vjeçarëve në lexim, shkencë dhe matematikë. Në ceremoninë e hapjes mori pjesë ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, si dhe Drejtori për Edukimin dhe Aftësitë i OECD, Andreas Schleicher.
Kumbaro vlerësoi se diskutimet sot fokusohen te e ardhmja e arsimit dhe sfidat që sjellin ndryshimet e shpejta teknologjike, veçanërisht inteligjenca artificiale, që po transformojnë mënyrën e jetesës, mësimit dhe punës. Ajo theksoi rëndësinë e ndërtimit të qasjeve të reja përmes analizave të PISA-s, për të përgatitur fëmijët jo vetëm për botën e njohur, por edhe për të ardhmen e paparashikueshme. Ministrja nënvizoi se, ndërsa bota ndryshon, aftësitë themelore mbeten kyçe: të lexuarit, mendimi matematikor, arsyetimi shkencor, kurioziteti dhe qëndrimi përballë problemeve. Sipas saj, PISA ndihmon të kuptohet jo vetëm çfarë dinë nxënësit, por si e përdorin dijen në situata reale dhe sa janë të përgatitur për sfidat jashtë shkollës.
Duke iu referuar ngjarjeve të fundit në kryeqytet, Kumbaro theksoi nevojën për arsim cilësor që nxit shprehjen e mendimeve, dialogun dhe gjetjen e zgjidhjeve, por me fokus te siguria, mirëqenia dhe e drejta për të mësuar. Ajo shtoi se arsimi ndihmon edhe për të dëgjuar dhe respektuar mendime të ndryshme dhe për të argumentuar përmes dialogut. Bashkëpunimi mes shkollës, familjes, mësuesve, institucioneve dhe vetë të rinjve u cilësua po aq i rëndësishëm sa çdo reformë apo investim, ndërsa PISA ofron të dhëna përtej përshtypjeve për të kuptuar ndryshimet e nevojshme.
Ministrja përmendi gjithashtu modernizimin e kurrikulave, module trajnuese për përdorimin e qëndrueshëm të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale, programin “Pas Shkolle” dhe lëvizjen kombëtare për lexim 2.0 si iniciativa që nxisin gjykimin kritik, mendimin kreativ dhe kuriozitetin. OECD raporton për përmirësim të ndjeshëm të Shqipërisë në PISA 2025 krahasuar me 2022: matematikë +65 pikë, shkencë +59 pikë dhe lexim +50 pikë.

