Të paktën tre persona të maskuar kanë grabitur 26 ora xhepi të shekullit XVIII nga pallati historik Venaria Reale, pranë Torinos në Itali, vlerë rreth 150 mijë euro. Vjedhja ndodhi pak pas orës 02:00 të mëngjesit, kur personat hynë me forcë në kompleksin historik dhe arritën deri në Sallën e Audiencës së Dukës së Savojës, ku orët ishin ekspozuar në një vitrinë të posaçme, të cilën e thyen për të marrë objektet me vlerë.
Autorët morën orët pavarësisht pranisë së rojeve të armatosura, kamerave të sigurisë dhe sistemeve të alarmit. Administrata e Rezidencave Mbretërore të Savojës deklaroi se sistemet e sigurisë ishin në funksion në momentin e grabitjes. Sipas informacioneve paraprake, veprimet e autorëve janë regjistruar nga kamerat e sigurisë të pallatit; pamjet po analizohen nga hetuesit që përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e personave të dyshuar dhe të zbulojnë mënyrën se si ata hyrën dhe u larguan me objektet e vjedhura.
Orët, me origjinë angleze dhe franceze, janë punuar me ar dhe smalt dhe përfaqësojnë pjesë të rëndësishme të artizanatit tradicional të shekullit XVIII. Hetuesit po shqyrtojnë mundësinë që grabitësit të kenë pasur njohuri paraprake për organizimin e ambienteve dhe funksionimin e masave të sigurisë, pasi ata arritën të depërtonin në sallën e ekspozitës dhe të thyenin vitrinën pavarësisht masave të ndërtuara për mbrojtje.
Orët e vjedhura bënin pjesë në një koleksion historik që iu kalua Familjes Mbretërore të Savojës në vitin 2012, përmes një donacioni nga trashëgimtarët e Giorgio Acorneros. Koleksioni përfshin edhe 24 kuti historike duhani, të cilat nuk u prekën gjatë grabitjes. Sipas administratës së pallatit, objektet janë të siguruara, por humbja konsiderohet një goditje për trashëgiminë kulturore të kompleksit, pasi vlera e tyre lidhet edhe me rëndësinë historike dhe mjeshtërinë e punimit.
Venaria Reale është një nga komplekset më të rëndësishme baroke në Itali. Salla ku ekspozoheshin orët ndodhet në katin kryesor, pranë Galerisë së Madhe, dhe njihet për dekorimet e pasura, elementet e praruara dhe afresket. Rapporti i ngjarjes u dha nga Top Channel.

