Një moment i sikletshëm midis presidentit amerikan Donald Trump dhe Zonjës së Parë Melania Trump u bë viral në rrjetet sociale, pasi Zonja e Parë duket se shmang një puthje nga kreu i Shtëpisë së Bardhë. Ngjarja ndodhi gjatë një konference për shtyp në Kopshtin e Trëndafilave, ku çifti u shfaq krah për krah për të nënshkruar një urdhër ekzekutiv që parashikon krijimin e një task force për shëndetin e grave dhe një divizion të posaçëm për këtë fushë në Institutet Kombëtare të Shëndetit në SHBA.
Në pamjet që qarkullojnë në internet, Trump shihet teksa përkulet për të puthur Melanian, por ajo duket se kthen kokën dhe shmang kontaktin e drejtpërdrejtë me buzët e tij. Nuk është e qartë nëse reagimi i saj lidhej me ndonjë situatë të mëparshme mes tyre. Momenti u komentua gjerësisht në rrjetet sociale.
Gjatë ceremonisë pati edhe një shkëmbim batutash mes çiftit, pasi Trump nënshkroi urdhrin ekzekutiv dhe i dorëzoi stilolapsin Melanias. “Nuk e di nëse firma e saj do të thotë diçka”, tha presidenti, dhe Zonja e Parë iu përgjigj: “E jotja është më e rëndësishme”. Trump gjithashtu deklaroi se ideja për krijimin e strukturës së posaçme për shëndetin e grave erdhi pas një bisede me bashkëshorten e tij. “Kur e mora vesh, thashë: ‘Je i sigurt që nuk ekziston diçka e tillë tashmë? Kush dreqin nuk do të kishte një departament të shëndetit të grave?’ Melania tha: ‘Nuk ka’. Pra, bravo”, u shpreh ai.
Presidenti vlerësoi më pas inteligjencën e Zonjës së Parë, duke theksuar se ajo e kupton rëndësinë e çështjeve të tilla. Pas momentit të shmangies së puthjes, Trump i kapi dorën Melanias dhe e përkëdheli lehtë me pëllëmbën e dorës, duke i thënë “bravo”. Pamjet dhe shkëmbimet e tyre para kamerave nxitën reagime dhe komente në rrjetet sociale për mënyrën e ndërveprimit të çiftit presidencial.

