Një i mitur 15-vjeçar rrëfeu për Shqipëria Live arrestimin e tij dhe të disa shokëve gjatë një proteste, dhunën që sipas tij u ushtrua dhe mbajtjen për 72 orë në paraburgim. Ai tha se pas arrestimit i dërguan në ambientet e Ministrisë së Arsimit, ku ndodhnin mbi 15 persona; aty i mbajtën rreth 30 minuta dhe, sipas tij, u sulmuan me shkopinj gome.
Sipas rrëfimit, gjatë kohës në Ministri policia ushtronte presion fizik e verbal, duke i urdhëruar “Rrini në tokë”, i sharë dhe i provokuar që të reagonin në mënyrë që forcat të ushtronin më pas dhunë. I mituri tha se mbante maskë nga gazi lotsjellës, por brenda dhomës u hodh sasie të mëdha gazlotsjellës dhe iu mbyll dera, duke i lënë aty “derisa të mbyteshim”. Më pas grupi u mor me furgon dhe u dërgua te komisariati nr. 4.
Në komisariat, sipas tij, iu bënë pyetje dhe ai u përgjigj; më pas u fotografuan dhe u lanë në një dhomë të vogël me tre karrige për mbi tetë orë. Familjes iu komunikua se i mituri duhej të qëndronte në paraburgim për 72 orë, dhe më pas ata u çuan në qendrën e mbajtjes Mine Peza ku qëndruan për këtë periudhë.
Rreth kushteve në paraburgim, ai deklaroi se nuk mund të thoshte se kishte pasur trajtim të keq për sa i përket ushqimit ose kërkesave themelore, por theksoi se ambienti ishte shumë i keq, me vetëm një krevat dhe dy dyshekë poshtë. I mituri tha se ishte trembur më shumë nga dhuna e njësisë që ai e përmendi si “Shqiponjat”. Ai shtoi se ishte hera e parë që mori pjesë në një protestë.
I mituri u shpreh se kishte dalë në protestë për arsye personale dhe për presionin që, sipas tij, ushtrohej ndaj tyre.

