Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar njofton se më 20.10.2026 i është komunikuar të pandehurës Belinda Balluku akuzat përfundimtare. Sipas njoftimit, ndaj saj rëndojnë disa vepra penale të përshkruara me dispozitat përkatëse të Kodit Penal.
E para është “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e ndjekur në bashkëpunim dhe e përmendur nëntë herë, e parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal. Më tej, Balluku akuzohet për “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, sipas nenit 259 të Kodit Penal, si dhe për “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
Njoftimi përmend gjithashtu akuzat të lidhura me deklarimin e pasurive: “Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, për të cilën përmenden dy herë dispozitat e nenit 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal. Për më tepër, ndaj saj rëndon akuza për “Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, e parashikuar në nenin 287, gërma “b” të Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal; kjo akuzë lidhet me dy pasuri të paluajtshme.
Prokuroria thekson se vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale. Detaje të tjera mbi hetimin dhe akuzat do të bëhen të ditura në një moment të mëvonshëm.
Top Channel

