Forcat e policisë greke janë në gatishmëri të shtuar pas trazirave në Francë dhe vende të tjera evropiane. Protestat e paralajmëruara për nesër — ku do të marrin pjesë studentë, nxënës dhe mësues — kanë vënë në lëvizje edhe Ministrinë e Mbrojtjes së Qytetarit. Sindikatat e arsimit të ulët kanë shpallur grevë 24-orëshe, ndërsa ato të shkollave të mesme kanë ndërprerë punën.
Studentët kanë nisur mobilizimin që sonte, duke ngritur çadra në sheshin para parlamentit në Athinë (Sintagma) dhe në atë të Shën Sofisë në Selanik. Përfaqësues të shoqatave studentore thonë se protestat lidhen me problemet e strehimit: qira të larta, vende të pamjaftueshme në konvikte dhe barrën e rëndë që paraqet për shumë familje mbajtja e një studenti larg shtëpisë. Nesër në rrugë pritet të dalin, përveç studentëve, edhe prindërit, nxënësit dhe mësuesit.
Mësuesit kanë kërkesa kryesore rritjen e pagave, plotësimin e vendeve bosh dhe sigurimin e shkollave, ndërsa studentët kërkojnë më shumë financim për universitetet publike dhe ndihmë për strehimin. Protesta janë paralajmëruar edhe në Patra dhe qytete të tjera.
Policia deklaron se do të lejojë qëndrimin me çadra në sheshin Sintagma, por paralajmëron ndërhyrje në rast dhune. Janë parashikuar masa mbrojtjeje për dyqane dhe ambasada, dhe po shqyrtohet edhe mbyllja e stacioneve të metrosë në qendrat e Athinës dhe Selanikut.
Incidentet e dhunshme dhe protestat në Francë, Itali, Belgjikë dhe Shqipëri kanë sjellë përplasje politike edhe në nivel vendor. Partia e re opozitare Aleanca e Majtë Greke ka bërë thirrje që kjo valë protestash, por në mënyrë paqësore, të arrijë edhe në Greqi. Qeveria, përmes zëdhënësit të saj, u bëri thirrje që të izolohen ata që nxisin kaosin. Socialistët e PASOK-ut kërkuan që veprimet e dhunshme të një pakice të mos përdoren për të njollosur protestat. Gjithashtu SYRIZA dhe Partia Komuniste bënë thirrje për mobilizime studentore, duke theksuar se ato duhet të jenë masive dhe paqësore.
Top Channel

