Liga e Kampioneve rikthehet këtë mesjavë, me Napolin që do të presë Bodo/Glimt. Skuadrës së Massimiliano Allegrit i duhet me çdo kusht fitorja pasi vazhdon të jetë në kuotën e 0 pikëve, dhe presioni për ekipin napoletan është i madh.
Në prag të sfidës, trajneri Massimiliano Allegri theksoi se një fitore do të ishte shumë e rëndësishme për klasifikimin. Ai vuri në dukje se pas ndeshjes së së shtunës dhe gripit, gjërat mund të përmirësohen: “Nesër duhet të bëjmë diçka të mirë, që është e rendësishme për klasifikimin dhe që të na japë besim. Pastaj të shtunën kemi Romën që po bën një sezon shumë të mirë.”
Allegri pranoi se ekipi ka pasur paraqitje të mira, por pëson gola me shumë lehtësi dhe duhet të bëjë më shumë. Ai theksoi rëndësinë e rezultateve në futboll dhe mungesën e tyre deri tani për Napolin: “Deri në këtë moment këto rezultate na kanë munguar dhe duhet të bëjmë diçka më shumë.” Sipas tij, në ndeshjen e ardhshme nuk duhet të ketë ankth dhe nervozizëm; kërkohet teknikë dhe saktësi në pasime për të arritur një performancë më të mirë.
Trajneri përmendi edhe sasinë e madhe të ndeshjeve, duke nënvizuar se Napoli do të luajë 9 ndeshje brenda një muaji dhe se të gjithë futbollistët mund të japin kontributin e tyre me kualitetet përkatëse. Për Allegri, besimi duhet të drejtohet te të gjithë lojtarët për të përballuar intensitetin dhe kërkesat e kalendarit.
Në lidhje me komunikimet me presidentin Aurelio De Laurentiis, Allegri tha se kishte biseduar me të në mëngjes, por shtoi se fjalët vetë nuk janë shumë të dobishme në këtë moment. Ai theksoi se ajo që ka rëndësi është menaxhimi i momentit në mënyrën më të mirë, duke punuar në heshtje për të dalë nga situata aktuale. Top Channel

