Myrto Uzuni rikthehet te goli në Major League Soccer, teksa sulmuesi i Kombëtares shqiptare shënoi për Austin në përballjen me Vancouver Whitecaps, skuadrën që kryeson në Konferencën e Perëndimit. Uzuni realizoi në minutën e 41, pas një gabimi të kundërshtarëve, duke i dhënë avantazhin skuadrës teksane.
Megjithatë, avantazhi i Austin nuk zgjati. Në pjesën e dytë, Vancouver përmbysi rezultatin duke shënuar dy gola dhe fituar ndeshjen 2-1, që mbeti rezultati përfundimtar. Me këtë triumf, Whitecaps arrijnë në kuotën e 55 pikëve në renditje.
Për Austin, goli i Uzunit nuk ndryshoi ecurinë negative; pas kësaj humbjeje skuadra mbetet me 31 pikë dhe pozicionohet në vendin e parafundit në klasifikimin e Konferencës së Perëndimit.

