Kryeministri Edi Rama deklaroi se protesta e dhunshme, e cila vijon prej pesë ditësh, frymëzohet nga zhvillime në vende të tjera të botës. Ai theksoi se veçantia e situatës shqiptare qëndron në faktin se këto ngjarje ndodhin në një moment kur vendi është pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian në vitin 2030.
Rama pretendoi se studentët që marrin pjesë në protestë janë bërë pengje të asaj që e quajti “grupi i zjarrit”. Sipas tij, në bulevard ka një pjesë shumë të vogël studentësh ekstremizuar, të ideologjizuar dhe të verbuar nga ide ekstremiste, të cilët, tha ai, po shfaqen në mënyrë të ngjashme në qytete si Paris, Romë, Milano, Torino, si dhe në Portugali dhe Brazil. Ai vlerësoi se protesta shqiptare është pjesë e një vale të përgjithshme, nga ku merr frymëzim dhe lëndën e parë, por gjithashtu ka specifikat e veta.
Kryeministri u shpreh se kjo përpjekje, sipas tij, synon t’i bëjë vendit atë që i ka ndodhur herë pas here në historinë e tij kur është përpjekur të ngrejë kokën dhe të përparojë. Rama përshkroi fenomenin si një “formë terrorizuese murtaje”, të inskenuar dhe të huaj në natyrë, duke deklaruar se “nuk janë në Shqipëri, nuk e duan Shqipërinë”.
Ai pranoi se rinia dhe studentët janë të frustruar dhe kërkojnë ndryshim, por shtoi me keqardhje se shumë prej atyre që janë në bulevard janë pengje të grupit në krye, me udhëheqës me maska. Rama theksoi se përdoren gjerësisht të mitur, të cilët shfrytëzohen si mburojë për të avancuar dhe për të marrë terren, duke e bërë të vështirë për shtetin dhe për policinë që të reagojnë me forcë ndaj fëmijëve të vegjël. Ai gjithashtu tha se brenda grupimeve ka edhe elemente kriminale dhe deklaroi se pas tyre qëndron “një dorë e huaj”.
Lajmi u transmetua nga Top Channel.

