Mbyllet çështja Conceiçao–Spalletti, një problem më pak për Juventusin përpara ndeshjes me Lazion në Allianz Stadium, ku skuadra kërkon fitoren edhe në Serie A pas suksesit në Europa League. Incidenti ndodhi në fund të sfidës me Celta Vigon, kur futbollisti portugez nuk e pranoi zëvendësimin në minutën e 64: goditi pankinën me grusht, pati debate me asistentin e Spallettit dhe u drejtua për në dhomat e zhveshjes, para se të rikthehej në pankinë.
Pas ndeshjes, Conceiçao minimizoi situatën, ndërsa trajneri Luciano Spalletti komentoi më drejtpërdrejt ngjarjen, duke i dërguar një mesazh të qartë lojtarit: “Është më mirë që të jetë i zemëruar me veten e tij, përndryshe do të na duhet të flasim.” Spalletti shtoi gjithashtu: “Duhet të shfaqë karakter në 70 minutat që luan në fushë, jo në 20 minutat pasuese… ka edhe shokë skuadre të tjerë të fortë jashtë dhe në fakt kur u aktivizuan përmbysën ndeshjen.”
Pak më shumë se 24 orë më vonë, tensionet u qetësuan pas ndërhyrjes së vetë trajnerit dhe drejtuesve të Juventusit. Para kthimit në Torino, Conceiçao sqaroi veprimet e tij dhe dha shpjegime te Spalletti dhe Shefi Ekzekutiv, Giovanni Carnevali. Si pasojë, nuk do të ketë asnjë masë disiplinore dhe ai është gati të rikthehet në fushë për të ndihmuar skuadrën.
Për rastin foli edhe babai i futbollistit, Sergio Conceiçao, në një intervistë për La Gazzetta Dello Sport. Ai vuri theksin te parimi se trajneri ka gjithmonë të drejtë: “Të nisemi nga një parim i qartë; trajneri ka gjithmonë të drejtë” – tha Sergio Conceiçao. Sipas tij, nëse Spalletti mendoi se zëvendësimi ishte i nevojshëm, kishte motivet e tij, por duhet kuptuar edhe frustrimi i një futbollisti që donte të jepte më shumë. Si trajner, shtoi, preferon një lojtar me personalitet që zemërohet për një zëvendësim sesa një lojtar i pakujdesshëm. Ai e përcaktoi episodin si të zakonshëm në futboll: ndoshta jo shumë i bukur, por jo i nevojshëm për t’u zmadhuar.
Top Channel.

