“Lutja e Engjëllit të Zotit do të mbahet”. Zyra e Shtypit e Vatikanit konfirmon këtë ndërsa Papa Leone XIV vazhdon rikuperimin pas ndërhyrjes kirurgjikale të kryer të martën në Poliklinikën Gemelli të Romës. Të dielën, një javë pas njoftimit të papritur për gjendjen e tij shëndetësore, Ati i Shenjtë pritet të mos e ndërpresë traditën e lutjes së përjavshme, por nuk është bërë e ditur ende se ku dhe në çfarë forme do të zhvillohet ajo.
Sot në orën 12:00 Papa ka kryesuar meshën e parë gjatë qëndrimit në spital. Ceremonia u zhvillua në një sallë të posaçme në katin e dhjetë të Poliklinikës Gemelli dhe morën pjesë mjekë, infermierë, punonjës të tjerë të spitalit që në atë moment ishin jashtë shërbimit, si dhe pjesëtarë të Xhandarmërisë së Shtetit të Qytetit të Vatikanit. Gjatë homelisë, Papa falënderoi personelin shëndetësor për punën e përditshme në kujdesin ndaj të sëmurëve dhe përkushtimin ndaj njerëzve në gjendje të brishtë, duke shprehur mirënjohje të veçantë për kujdesin që i është kushtuar edhe atij.
Sipas buletinit të fundit mjekësor, gjendja e përgjithshme e Papës po përmirësohet vazhdimisht. Analizat e gjakut dhe radiografia e toraksit, të kryera të premten në mëngjes, kanë konfirmuar ecurinë pozitive të rikuperimit. Ati i Shenjtë ka vijuar seancat e fizioterapisë respiratore dhe rikuperimi pas operacionit i mundëson tashmë të kryejë në mënyrë të pavarur aktivitetet e përditshme.
Lajmin e ka bërë të ditur ekipi mjekësor i përbërë nga Luigi Carbone dhe Stefano Margaritora, që po ndjekin ecurinë e gjendjes së tij shëndetësore. Nga Zyra e Shtypit e Vatikanit bëhet e ditur se Papa është në humor të mirë dhe ka vijuar aktivitetin e tij të punës gjatë qëndrimit në spital. Ende nuk është përcaktuar nëse Leone XIV do të dalë nga Poliklinika Gemelli të shtunën apo në ditët në vijim; siç theksohet nga burimet e Vatikanit, “Për momentin, mbetet në fuqi ajo që u tha fillimisht nga mjekët, pra shtatë ditë rikuperim, por do të shohim”.

