Bodo/Glimt ka krijuar një fortezë të vështirë për t’u thyer në Aspmyra Stadion në ndeshjet evropiane në shtëpi. Që nga 2020-a e deri më sot, në 48 takime europiane në Aspmyra klubi ka shënuar 37 fitore, 2 barazime dhe 9 humbje. Skuadra më e fundit që u mund atje ishte Borussia Dortmund, e cila humbi 1-0 në mbrëmjen e së mërkurës.
Humbja e fundit në shtëpi në një natë evropiane për Bodo/Glimt daton në nëntor 2025, kur Juventusi i Luciano Spallettit fitoi 3-2, me golin vendimtar të shënuar nga Jonathan David në minutën e 91-të. Që nga ai moment, norvegjezët kanë ndjekur një seri pozitive në Aspmyra, duke regjistruar gjashtë fitore në shtëpi gjatë këtij viti kalendarik. Në mesin e këtyre sukseseve janë fitorja 3-1 ndaj Manchester City dhe ajo 3-1 ndaj Interit, 3-0 ndaj Sporting Lisbonë, dhe në këtë edicion 3-2 ndaj Union Saint Gilloise e 3-0 ndaj Nijmegen, përpara triumfit më të fundit kundër Borussia Dortmund.
Këto shifra janë të jashtëzakonshme për një klub që përfaqëson një qytezë me rreth 50 mijë banorë, e vendosur rreth 200 kilometra mbi Rrethin Polar Arktik. Një element që përmendet shpesh si i fortë për Bodo/Glimt është klima e ftohtë intensive dhe kushtet meteorologjike ekstreme të zonës, të cilat e bëjnë të vështirë përshtatjen për skuadrat që vijnë nga rajone me klimë më të butë. Një tjetër faktor teknik është fusha e barit sintetik në Aspmyra, një sipërfaqe me të cilën shumë ekipe mysafire nuk janë mësuar, dhe që ndryshon ritmin e lojës duke e bërë atë dhe pasimet më të shpejta.
Brenda vitit 2027 klubi parashikon të zhvendoset në impiantin e ri Arctic Arena. Stadiumi, aktualisht në ndërtim, është projektuar për të ofruar më shumë mbrojtje nga erërat e akullta që vijnë nga veriu ekstrem.

