Ambasada Amerikane në Tiranë ka lëshuar një njoftim për protestën që po zhvillohet në Rrugën e Durrësit, pranë Sheshit Skënderbej, duke paralajmëruar për përshkallëzim të dhunës si pasojë e hedhjes së gurëve. Sipas njoftimit, protestat mund të përhapen edhe në rrugët dhe blloqet përreth, përfshirë zonat pranë godinave qeveritare, gjë që pritet të sjellë një shtim të pranisë policore, ndërprerje të qarkullimit, devijime të trafikut dhe bllokime rrugore.
Ambasada i ka këshilluar qytetarët të shmangin demonstratat dhe të vendosin sigurinë personale në prioritet. Personeli i Ambasadës është udhëzuar të mos marrë pjesë në demonstrata. Ajo gjithashtu ka bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë vigjilentë, të ndjekin mediat lokale dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendore për të marrë informacione rreth zhvillimeve të fundit.
Në njoftim përmenden masa praktike të sigurisë që qytetarët duhet të aplikojnë: të shmangin pjesëmarrjen në demonstrata; të jenë të vëmendshëm ndaj asaj që ndodh përreth dhe të kufizojnë shpërqendrimet si përdorimi i telefonave ose kufjeve kur janë në ambiente publike; të ndjekin mediat lokale për të qenë të informuar mbi situatën; të kenë një plan emergjence ose strategji për t’u larguar shpejt në rast rreziku; dhe të shmangin tërheqjen e vëmendjes, duke u përpjekur të qëndrojnë sa më pak të ekspozuar.
Njoftimi thekson rrezikun që krijon përshkallëzimi i dhunës dhe ndikimin e mundshëm në qarkullimin dhe sigurinë publike në zonat përreth Sheshit Skënderbej. Qytetarëve u kërkohet të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe të mbajnë masa parandaluese për mbrojtjen e sigurisë së tyre personale. (Burimi: Top Channel)

