Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, përgëzoi Shqipërinë për arritjet e saj teksa u mbyllën negociatat për kapitullin 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”. Deklarimi u bë gjatë një konference të përbashkët në Luksemburg me kryeministrin Edi Rama dhe Ministrin e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Mbrojtjen të Irlandës, Thomas Byrne. Sipas Kos, Shqipëria mund të bëhet anëtare e Bashkimit Europian para vitit 2030.
Kos vlerësoi se Shqipëria është një nga kryesueset e progresit “mbresëlënës” të arritur, falë punës së brendshme dhe mbështetjes së vendeve anëtare. Mbyllja e Kapitullit 20, theksoi ajo, lidhet me zhvillimin e bizneseve shqiptare që rriten, konkurrojnë dhe krijojnë vende pune, dhe nxori në pah rëndësinë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si shtylla kurrizore të ekonomisë shqiptare. Reformat e lidhura me këtë kapitull, shtoi Kos, sjellin përfitime reale për këto biznese.
Komisionerja vunë theksin te përpjekjet e Shqipërisë për përafrimin e politikave industriale me standardet e BE-së, veçanërisht në fushat e teknologjive të reja, teknologjisë së pastër dhe materialeve dhe lëndëve të para kritike, të cilat i përshkroi si thelbësore për ndërtimin e një ekonomie më të fortë. Ajo përgëzoi institucionet shqiptare dhe përmendi veçanërisht ministren dhe zonjën Delina për këtë arritje.
Kos rikonfirmoi objektivin ambicioz të Shqipërisë për të mbyllur të gjitha kapitujt negociues deri në vitin 2027 dhe deklaroi se Bashkimi Europian mbështet këtë ambicie, por paralajmëroi se për të arritur këtë nevojiten vazhdimësi në rezultatet, sidomos në fushën e Themeloreve. Ajo theksoi se ky proces duhet të përfshijë të gjithë spektrin politik dhe shoqëror — qeverisjen, opozitën, shoqërinë civile dhe qytetarët — pasi, sipas saj, anëtarësimi në BE është një projekt kombëtar.
Nga ana e BE-së, Kos njoftoi se po përgatiten për një Bashkim Europian më të gjerë dhe përmendi se javën e kaluar është paraqitur vlerësimi që kërkon përgatitje për një Bashkim më të madh, duke shtuar se po merren hapat e nevojshëm për ta bërë këtë realitet.

