Çështja gjyqësore mes Juventusit dhe Cristiano Ronaldos vazhdon që prej largimit të portugezit nga Torino në 2021 dhe ka rrënjët në periudhën e pandemisë së Covid-19, lidhur me të ashtuquajturën “manovra e pagave”. Arbitrazhi i prillit 2024 i njohu Ronaldos të drejtën për të përfituar 9,8 milionë euro, plus interesat dhe rivlerësimin monetar, shumë që përfaqëson gjysmën e pretendimit të tij fillestar prej rreth 19,6 milionë eurosh. Ky vendim u konfirmua më pas edhe nga gjyqtari i punës në Torino, Gian Luca Robaldo. Juventus ka paraqitur rekurs në Gjykatën e Kasacionit dhe pret caktimin e datës së seancës gjyqësore.
Rasti i ka nisur nga marrëveshjet gjatë pandemisë, kur klubi dhe futbollistët arritën një akord për të shtyrë pagesa, për të përballuar pasojat financiare. Me Ronaldon, drejtuesit e Juventusit nënshkruan në 2021 një dokument të njohur si “Karta Ronaldo” për shtyrjen e pagesës së 19,5 milionë eurove, pjesë e pagës bruto të tij. Dokumenti u përmend në hetimin e Prokurorisë së Torinos, hetim që përfshiu drejtuesit e lartë të klubit dhe çoi në dorëheqjen e presidentit Andrea Agnelli dhe të gjithë anëtarëve të bordit drejtues të asaj kohe. Sidoqoftë, shuma nuk u regjistrua asnjëherë në bilancin e klubit dhe nuk iu pagua Ronaldos, pasi në verën e atij viti ai u transferua te Manchester United.
Nga përgjimet e hetimit “Prisma” doli se marrëveshja e shkruar “teorikisht nuk duhet të ekzistojë”, shprehje e përdorur nga kreu i zyrës ligjore të Juventusit, Cesare Gabasio, gjatë një bisede me drejtorin sportiv të atëhershëm. “Karta Ronaldo” u gjet më 23 mars 2022 gjatë një kontrolli në studion e avokatit Federico Restano në Torino. Ronaldo ngriti padi në shtator 2023; pasi dokumenti nuk mbante firmën e tij, palët ranë dakord për zgjidhje përmes arbitrazhit. Trupi arbitral, përveç se njohu gjysmën e shumës së pretenduar, përjashtoi qëllimin e Juventusit për të mashtruar futbollistin dhe theksoi se Ronaldo nuk kishte kërkuar këtë pagesë kur u largua nga Italia.
Në raportin financiar për vitin 2025-2026, Juventus shpjegon se vendimi i Gjykatës së Torinos u kufizua në verifikimin e çështjeve formale dhe nuk ndryshon përfundimet e arbitrazhit; efektet ekonomike janë reflektuar që nga viti financiar 2023-2024 dhe nuk priten ndikime negative në bilancet aktuale ose të ardhshme. Klubi ka njoftuar palët për rekursin në Kasacion më 27 mars 2026 dhe pret caktimin e seancës.

